
Trafik i rënduar nga reshjet e shiut, udhëtarët e linjës Tirana e Re mbeten në shi pas defektit të mjeteve
Reshjet e dendura të shiut kanë rënduar ndjeshëm trafikun në Tiranë gjatë orëve të mëngjesit, duke sjellë probleme serioze në qarkullim dhe transportin urban. Situata është përkeqësuar edhe më tej pas defektit të dy autobusëve të linjës urbane Tirana e Re, të cilët janë bllokuar në mes të rrugës.
Ngjarja ka shkaktuar pakënaqësi dhe vështirësi për dhjetëra qytetarë, të cilët janë detyruar të zbresin dhe të presin në mes të shiut, pa asnjë zgjidhje alternative të menjëhershme. Defekti i autobusëve ka ndikuar drejtpërdrejt në bllokimin e trafikut, duke krijuar radhë të gjata automjetesh në disa segmente rrugore.
Sipas raportimeve nga udhëtarët, kjo nuk është hera e parë që ndodhin probleme të tilla në ditët e fundit. Qytetarët shprehen të shqetësuar se situata po u cenon seriozisht oraret e punës, si edhe frekuentimin e shkollës dhe universiteteve për nxënësit dhe studentët.
Ndërkohë, mungesa e reagimit të shpejtë për zëvendësimin e autobusëve të prishur ka shtuar indinjatën e pasagjerëve, të cilët kërkojnë ndërhyrje urgjente për garantimin e një shërbimi normal dhe të sigurt, veçanërisht në kushte të motit të keq.
