
Aeroporti i Tiranës mbetet funksional, pasagjerët këshillohen të verifikojnë oraret me linjat ajrore
Kushtet e përkeqësuara atmosferike kanë nisur të ndikojnë edhe në transportin ajror. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka njoftuar se për shkak të motit të keq, disa fluturime mund të pësojnë ndryshime ose vonesa në orare.
Në njoftimin zyrtar drejtuar pasagjerëve, TIA thekson se megjithëse kushtet atmosferike janë të pafavorshme, operacionet në aeroport po vijojnë normalisht. Ekipet teknike dhe operacionale janë në gatishmëri të plotë dhe po punojnë në koordinim të ngushtë për të garantuar mbarëvajtjen e shërbimeve dhe sigurinë e fluturimeve.
Autoritetet aeroportuale u bëjnë thirrje udhëtarëve që të kontrollojnë vazhdimisht statusin e fluturimit të tyre dhe të qëndrojnë në kontakt me linjat ajrore për përditësime të mundshme lidhur me oraret e nisjeve dhe mbërritjeve.
TIA siguron se çdo situatë po monitorohet në kohë reale dhe se prioritet mbetet siguria e pasagjerëve dhe stafit, në kushtet kur reshjet e shiut dhe moti i paqëndrueshëm pritet të vijojnë edhe në orët në vijim.
