
40-vjeçari u transportua drejt Spitalit të Traumës me plagë në kokë, ndërsa policia po kontrollon disa zona për identifikimin e autorëve.
Muçi Shaljani, i njohur me nofkën Sheqeri, 40 vjeç, është personi që mbeti i plagosur rëndë në atentatin e ndodhur pranë rrethrrotullimit të Rinasit, ku u ekzekutua Gilmando Dani. Ai u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës pasi mori një plumb në kokë. Sipas raportimeve, Shaljani gjatë tre muajve të fundit ka qenë punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Në momentin e sulmit, ai ishte në timonin e mjetit të blinduar, ndërsa Dani udhëtonte si pasagjer. Ndaj automjetit u hap zjarr me breshëri kallashnikovi, duke e lënë Danin të vdekur në vend dhe Shaljanin të plagosur rëndë.
Për kapjen e autorëve janë ngritur pika kontrolli dhe po kryhen operacione në Tiranë, Krujë, Fushë Krujë dhe zonat malore përreth. Pak minuta pas ngjarjes, në Halil të Krujës u gjet një automjet i djegur, për të cilin dyshohet se është përdorur nga atentatorët gjatë largimit. Hetimet po vijojnë për të zbuluar lëvizjet, motivet dhe lidhjet e mundshme të sulmit.
