
GRU Space synon të ndërtojë hotelin e parë hënor brenda dekadës, duke e kthyer turizmin hapësinor në biznes real
Një kompani amerikane me emrin GRU Space ka njoftuar zyrtarisht planin për ndërtimin e një hoteli në Hënë, duke hapur që tani rezervimet për turistët e parë hapësinorë. Për të siguruar një vend, të interesuarit duhet të paguajnë një depozitë që varion nga 250 mijë deri në 1 milion dollarë.
Sipas kompanisë, rezervimi i hershëm u jep mundësinë klientëve të jenë pjesë e misioneve të para turistike në sipërfaqen e Hënës, të planifikuara të realizohen brenda gjashtë viteve të ardhshme.
GRU Space u themelua nga Skyler Chan, një inxhinier i ri që sapo ka përfunduar studimet në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley. Pavarësisht se kompania ka aktualisht një staf shumë të kufizuar, ajo ka arritur të sigurojë financim fillestar nga Y Combinator, një nga inkubatorët më të njohur të start-up-eve në SHBA.
Plani i kompanisë parashikon disa faza zhvillimi. Misioni i parë testues pritet në vitin 2029, me dërgimin e një strukture të vogël inflatable në Hënë, për të provuar teknologjinë e banimit dhe përdorimin e materialeve hënore për ndërtim. Hoteli i parë, një strukturë inflatable, parashikohet të vendoset në vitin 2032 dhe do të jetë në gjendje të akomodojë deri në katër turistë njëkohësisht.
Në fazat e mëvonshme, GRU Space synon të ndërtojë një kompleks më të avancuar, të frymëzuar nga Palace of the Fine Arts në San Francisko, duke përdorur materiale të prodhuara direkt nga toka hënore.
Sipas themeluesit Chan, ideja e hotelit nuk është luks, por domosdoshmëri për zgjerimin e njerëzimit në hapësirë. Ai thekson se, ashtu si kolonistët e parë në Tokë nuk mund të jetonin përgjithmonë në anijet që i çuan atje, edhe eksplorimi i Hënës dhe më vonë i Marsit kërkon struktura të qëndrueshme banimi.
Nëse projekti realizohet sipas planit, turizmi në Hënë mund të mos jetë më fantashkencë, por një shërbim i rezervuar për ata që janë gati të paguajnë një çmim astronomik për një përvojë unike jashtë Tokës.
