
“Pas njezet e një vjetë pa njëzet e tre ditë shkoj në Tiranë për të marrë dokumentat dhe njëherë e përgjithmonë të vendos se ku do të rri. Takohem me të afërmit e mi, pas takimit të shkurtër që pata me rastin e vdekjes së nënës sime. Nuk e di, po m’u duk sikur më ndante një perde me ta. Isha bërë e huaj unë për ta. Jo vetëm kaq po ndjehesh si të themi frikë, apo mospëlqim, që ndodhesha midis tyre. Kush kishte qenë i rritur, i pjekur në moshë, qe plakur, ashtu si kishin ikur vitet dhe për mua. Kush kish qenë i vogël, qe rritur, martuar, bërë me fëmijë. Pastaj lindur fëmijë që as i njihja dhe më dukej se nuk bënin pjesë në familjen time. Po a kisha familje unë? Jo. Unë s’kisha familje. Me këta njerëz më lidhte një kujtim i largët…”Musine Kokalari – “Jeta në Rrëshen”.