
Gangs të organizuar po kërkojnë të fusin ndikim në vendimmarrjen lokale, ndërsa zgjedhjet bashkiake të vitit 2026 afrohen mes një klime terrori dhe shantazhi.
Në Marsejë tensioni mes grupeve të trafikut të drogës dhe jetës politike ka arritur një pikë alarmante. Autoritetet dhe banorët e qytetit janë tronditur nga vrasja e vëllait të Amine Kessaci, aktivist i njohur dhe kandidat i majtë në zgjedhjet legjislative të fundit. Kessaci, prej kohësh i angazhuar në luftën kundër narkotrafikut, ishte bërë objekt shantazhi nga grupe kriminale që lëviznin në hije, duke kërkuar të frikësonin dhe të heshtnin çdo zë që cënonte aktivitetin e tyre.
Sulmi vdekjeprurës që goditi familjen e tij shikohet si një mesazh i hapur intimidues, vetëm pak muaj para zgjedhjeve bashkiake të 2026, ku kontrolli lokal mbi territorin konsiderohet kyç për trafikun. Për trafikantët, synimi është i qartë: të ushtrojnë presion ndaj aktorëve politikë dhe institucionalë për të ndikuar në vendime që mund të prekin laboratorët, rrjetet e shpërndarjes dhe zonat ku operojnë prej vitesh.
Institucionet franceze kanë ngritur prej javësh alarmin për rritjen e ndërhyrjes së grupeve kriminale në jetën publike. Komisioni Kombëtar i Financimit të Fushatave ka paralajmëruar raste të dyshuara të financimeve të infiltruar nga elementë të botës së krimit, një zhvillim që konsiderohet historikisht i pashembullt në skenën politike franceze.
Në disa lagje të Marsejës, aktiviteti i bandave ka depërtuar deri në shoqatat e të rinjve, klubet sportive dhe organizatat komunitare, duke krijuar një sistem paralel ndikimi që sfidon autoritetin e shtetit. Kjo situatë po e vendos qytetin përballë një realiteti të ri: një luftë e hapur për kontrollin e territorit dhe për drejtimin e vendimmarrjes që prek sigurinë dhe jetën e qytetarëve.
Ndërsa hetimet për vrasjen e fundit po vazhdojnë, autoritetet kërkojnë më shumë mbrojtje për figurat politike të kërcënuara dhe më shumë mjete për të luftuar rrjetet kriminale që shtrihen gjithnjë e më tej në institucionet lokale.
