
Në një bashki ku mungon uji, ndriçimi dhe rrugët, kryetari i Librazhdit, Mariglen Disha, ka vendosur të “ngrejë sytë nga qielli”, duke shpallur fitues një tender prej gati 300 milionë lekësh të vjetra, për ndërtimin e një parku aventuresk me observator astronomik.
Projekti përfshin një zip-line, një ballkon panoramik dhe një teleskop për vëzhgim të yjeve, ndërkohë që shumica e banorëve të zonës ende përballen çdo ditë me rrugë të prishura, mungesë kanalizimesh dhe ujë të pijshëm.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimit Publik, tenderi me numër REF-60766-09-09-2025 është fituar nga kompania AVDULI, me ofertë prej 23.3 milionë lekësh pa TVSH, pra afro 280 milionë lekë të vjetra me TVSH. Në garë morën pjesë vetëm dy kompani, ndërsa oferta fituese përbënte 89% të fondit limit, një shifër që ekspertët e auditimit publik e cilësojnë si mungesë reale gare.
Në dokumentacionin e prokurimit thuhet se objekti i tenderit është “ndërtim i parkut aventuresk me observator astronomik”, një ide që në letër tingëllon moderne, por që, në terren, është përkufizuar nga banorët si “një luks absurd në mes të varfërisë”.
Kritikët e kanë cilësuar projektin si “simbol të keqmenaxhimit dhe propagandës lokale”, duke pyetur nëse ka ndonjë arsye logjike për të investuar në teleskopë, kur rrugët e fshatrave përreth janë të pakalueshme.
“Çfarë kuptimi ka të shohim yjet, kur fëmijët ecin në baltë për të shkuar në shkollë?”, -shprehen banorët në rrjete sociale.
Në disa zona të Librazhdit, uji i pijshëm merret ende me kova, ndërsa ndriçimi publik mungon. Pavarësisht kësaj, bashkia planifikon të ndërtojë “ballkon panoramik” dhe “zip-line” për turistë që, paradoksalisht, nuk kanë rrugë për të mbërritur aty.
Ky tender është vetëm një nga dhjetëra projekte të bashkive të vogla që përdorin justifikimin turizëm e zhvillim lokal, për të kanalizuar fonde në investime luksi. Shpesh këto vepra përfundojnë gjysmë të braktisura, pa ndikim real në ekonominë e komunitetit, por me fitime të majme për kontraktorët.
Në rastin e Librazhdit, teleskopi i porositur nga bashkia është kthyer në simbol të farsës publike, një mënyrë për të parë më qartë jo yjet në qiell, por yllin e korrupsionit që ndriçon mbi tenderat vendorë.
Në fund të fundit, Librazhdi mbetet pa ujë, pa punë e pa rrugë, por shumë shpejt, me një teleskop modern për të parë më mirë si humbin në ajër paratë e qytetarëve.