
Udhëheqësit europianë të Aleancës Atlantike riafirmojnë sovranitetin e Danimarkës dhe të drejtën e popullit groenlandez për të vendosur vetë, mes tensioneve me SHBA
Udhëheqësit europianë të vendeve anëtare të NATO kanë reaguar me një deklaratë të përbashkët, duke refuzuar çdo ide për marrjen nën kontroll të Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara, pas sinjaleve të përsëritura nga administrata e Donald Tramp se ishulli arktik është thelbësor për sigurinë kombëtare amerikane.
Në deklaratë theksohet se Groenlanda i përket popullit të saj dhe se vetëm Danimarka dhe Groenlanda kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e territorit. Udhëheqësit europianë nënvizojnë se rajoni i Arktikut është prioritet strategjik për Aleancën dhe se siguria atje duhet të garantohet kolektivisht, në përputhje me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë sovranitetin, integritetin territorial dhe paprekshmërinë e kufijve.
Sipas qëndrimit të përbashkët, Mbretëria e Danimarkës, përfshirë edhe Groenlanda, është pjesë e NATO-s dhe çdo bashkëpunim për sigurinë në Arktik duhet të zhvillohet në kuadër të Aleancës, në partneritet edhe me Shtetet e Bashkuara, por pa cenuar të drejtat sovrane.
Deklarata mban firmat e presidentit francez Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Friedrich Merz, kryeministres italiane Giorgia Meloni, kryeministrit polak Donald Tusk, kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez, kryeministrit britanik Keir Starmer dhe kryeministres daneze Mette Frederiksen, duke dhënë një sinjal të fortë uniteti europian përballë presionit nga Uashingtoni.
Ky qëndrim vjen në një moment tensioni të shtuar në arenën ndërkombëtare, ku Evropa kërkon të tregojë se mbrojtja e rendit ndërkombëtar dhe e kufijve nuk është e negociueshme, edhe kur përballë qëndron aleati më i madh transatlantik.
