
Fituesja e çmimit Oscar, e njohur për rolet e saj në “Annie Hall”, “The Godfather” dhe “Reds”, ndërroi jetë në Kaliforni, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në historinë e kinemasë amerikane.
Aktorja e famshme amerikane Diane Keaton ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare në Kaliforni, njoftoi familja e saj, duke kërkuar respektim të privatësisë në këtë moment të vështirë.
Keaton ishte një nga figurat më të spikatura të Hollywood, e njohur për stil unik, personalitet të fuqishëm dhe role ikonike në disa prej filmave më të rëndësishëm të shekullit XX. Ajo fitoi çmimin Oscar për aktoren më të mirë në vitin 1977 me filmin e famshëm Annie Hall, ndërsa u bë e pavdekshme në rolin e Kay Adams, bashkëshortes së Michael Corleone në trilogjinë “The Godfather”.
Me më shumë se 60 filma në karrierë, Keaton u dallua jo vetëm për talentin artistik, por edhe për stilin androgjen që sfidoi standardet e kohës: kostume, golfë të lartë dhe kapele që u bënë shenja dalluese e saj.
Në vitet ’70 ajo bashkëpunoi ngushtë me regjisorin Woody Allen, duke interpretuar në tetë filma të tij, përfshirë “Annie Hall dhe Manhattan”, role që e kthyen në një ikonë të kinemasë dhe modës.
Më vonë, Keaton vazhdoi të fitojë zemrat e brezave të rinj përmes filmave romantikë e komikë si “The First Wives Club”, “Father of the Bride”, “The Family Stone” dhe “Something’s Gotta Give”, për të cilin mori një tjetër nominim për Oscar.
E lindur në Los Angeles më 5 janar 1946, me emrin Diane Hall, ajo ishte e lidhur në periudha të ndryshme me Woody Allen, Al Pacino dhe Warren Beatty, por nuk u martua kurrë. “Mendoj se kisha frikë nga burrat, por isha e magjepsur nga njerëzit e jashtëzakonshëm e të talentuar. Kjo nuk është një recetë e mirë për martesë,” kishte rrëfyer ajo për revistën Elle në vitin 2015.
Diane Keaton u bë nënë në të 50-at, duke adoptuar dy fëmijët e saj, Dexter dhe Duke, të cilët sot mbeten trashëgimtarët e saj shpirtërorë dhe artistikë.
Vdekja e saj shënon fundin e një epoke në Hollywood, por trashëgimia e Diane Keaton do të mbetet përjetësisht në ekran dhe në kujtesën e publikut që ajo e frymëzoi për më shumë se pesë dekada.