Ikona e portës spanjolle ndërroi jetë në moshën 64-vjeçare në Valensia, pas një sëmundjeje që e kishte larguar prej muajsh nga aktivitetet publike.
Futbolli spanjoll është në zi. José Manuel Ochotorena, ish-portieri i njohur i Real Madrid dhe kombëtares së Spanjës, ka ndërruar jetë këtë të diel, më 26 tetor, në moshën 64-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga klubi madrilen dhe mediat spanjolle, që raportojnë se ai vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë që e kishte detyruar të tërhiqej nga jeta aktive.
I lindur në San Sebastián në vitin 1961, Ochotorena debutoi me Real Madrid në vitin 1982, ku arriti të fitojë tri tituj të La Ligës, dy Kupa UEFA dhe një Kupë të Mbretit. Ai qëndroi për vite me Los Blancos, fillimisht si zëvendësues i portierit të njohur Miguel Ángel, përpara se të përballej me konkurrencën e Paco Buyo.
Në vitin 1988, ai u transferua te Valencia CF, ku përjetoi një ndër periudhat më të mira të karrierës së tij. Pikërisht aty, në qytetin e Valencias, ai ndërroi jetë pas një karriere që e shndërroi në një nga figurat më të respektuara të portës spanjolle.
Real Madrid, në një deklaratë zyrtare, shprehu ngushëllimet më të thella:
Klubi Real Madrid shpreh dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të José Manuel Ochotorena dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes, ish-bashkëlojtarëve dhe të gjithë atyre që e njohën e e vlerësuan.
Ochotorena ishte pjesë e kombëtares spanjolle në Botërorin e Italisë 1990, ku ndau pankinën me legjenda si Andoni Zubizarreta dhe Juan Carlos Ablanedo.
Pas përfundimit të karrierës si lojtar, ai u shndërrua në një trajner të respektuar të portierëve, duke qenë pjesë e stafit të Valencias nën drejtimin e Rafa Benítez. Ai ishte gjithashtu anëtar i stafit teknik të kombëtares spanjolle që fitoi tre trofetë më të mëdhenj në historinë e saj: Euro 2008, Kupën e Botës 2010 dhe Euro 2012.
Me ndarjen e tij nga jeta, futbolli spanjoll humbi jo vetëm një kampion të fushës, por edhe një mjeshtër të heshtur që kontribuoi pas kuintave në sukseset e brezit të artë të Spanjës.
