
Bota e shahut është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të Daniel Naroditskyt, një prej talenteve më të spikatura të gjeneratës së re, kampion bote në moshën 12-vjeçare dhe më vonë komentator, pedagog e autor i njohur.
Trishtim dhe befasi në komunitetin ndërkombëtar të shahut pas vdekjes së papritur të Daniel Naroditskyt në moshën 29-vjeçare. Lajmin e ka bërë publik Klubi i Shahut të Charlotte, ku ai ishte anëtar aktiv dhe trajner, duke njoftuar se familja Naroditsky ka kërkuar respektim të privatësisë gjatë periudhës së zisë.
Daniel Naroditsky ishte cilësuar si një nga shpresat më të mëdha të shahut amerikan. Ai u bë kampion bote për moshat nën 12 vjeç dhe në moshën 18-vjeçare fitoi titullin e madhmjeshtrit ndërkombëtar (Grandmaster), një nga titujt më të lartë që mund të arrihet në këtë sport.
Gjatë karrierës së tij, Naroditsky fitoi një sërë turnesh prestigjiozë dhe u bë i njohur jo vetëm për talentin e tij në lojë, por edhe për aftësinë për ta bërë shahun tërheqës për publikun e gjerë. Ai ishte autor i disa librave dhe nisi të shkruante për revistën amerikane Chess Life që në adoleshencë, ndërsa më vonë bashkëpunoi me The New York Times në rubrikën e dedikuar shahut.
Në vitin 2020, Naroditsky hapi kanalin e tij në YouTube, ku me qasjen e tij të thjeshtë dhe të kuptueshme arriti të tërheqë mbi 480 mijë ndjekës, duke u bërë një nga zërat më të dashur të komunitetit global të shahut online.
Federata Ndërkombëtare e Shahut (FIDE) shprehu ngushëllimet për humbjen e një lojtarit, komentatori dhe edukatori të jashtëzakonshëm, duke e cilësuar Naroditskyn si një personalitet që e pasuroi sportin me përkushtimin dhe dashurinë e tij ndaj lojës.
Shkaqet e vdekjes së tij nuk janë bërë ende të ditura, por humbja e papritur e këtij gjeniu të qetë ka lënë boshllëk të madh në botën e shahut, ku ai shihej si simbol i inteligjencës, modestisë dhe pasionit për dijen.