Aktorja e serialeve “McLeod’s Daughters” dhe “Home and Away”, Rachael Carpani, ka ndërruar jetë në moshën 45-vjeçare, njoftoi familja e saj.
Një deklaratë nga prindërit e saj, e ndarë nga motra e saj në Instagram të hënën, tha se aktorja kishte “ndërruar jetë papritur, por në paqe, pas një beteje të gjatë me një sëmundje kronike në orët e para të së dielës, 7 dhjetor”. Ndërsa shkaku i saktë i vdekjes së saj nuk u bë publik.
Carpani ishte më e njohur për rolin e saj si Jodi Fountain në serialin televiziv australian McLeod’s Daughters, për të cilin u nominua për dy çmime Logie. Kohët e fundit, ajo iu bashkua kastit të Home and Aëay, duke luajtur rolin e aktores misterioze të sapoardhur në Summer Bay, Claudia Salini.
Carpani u zhvendos në Hollywood, dhe u ngjit në skenë duke filluar nga role më të vogla në NCIS Los Angeles dhe The Glades, duke marrë përfundimisht rolin kryesor në serialin dramë familjare Against The Wall, dhe një rol përkrah Ben Affleck në dramën e vitit 2020 Finding the Way Back.
Në vitin 2024, pasi u kthye në Australi, ajo u zgjodh për rolin e përsëritur të Claudia Salini në Home and Away. “Ishte një nga kohët më të këndshme që kam pasur ndonjëherë në shesh xhirimi,” tha ajo për The Morning Show në atë kohë. “Është një nga punët e para që kam bërë këtu në Australi, dhe kështu ishte një mënyrë vërtet e mrekullueshme për t’u rihyrë në industri.”
Ky do të ishte gjithashtu roli i saj i fundit.
