
Shtim patrullimesh, kontrolle në hyrje-dalje dhe monitorim i rreptë i qarkullimit për festime të qeta dhe të sigurta
Policia e Tiranës ka hartuar një plan të posaçëm masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë festimeve të ndërrimit të viteve, me fokus kryesor parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe aksidenteve rrugore. Masat parashikojnë një prani të shtuar të forcave policore në të gjithë territorin e kryeqytetit, veçanërisht në zonat me fluks të lartë qytetarësh.
Sipas njoftimit zyrtar, do të ketë rritje të ndjeshme të shërbimeve policore me uniformë dhe të Policisë Kriminale, si dhe vendosje të pikave fikse të kontrollit në hyrje dhe dalje të Tiranës. Paralelisht, do të intensifikohen patrullimet e lëvizshme për të parandaluar veprimtaritë e paligjshme dhe për të rritur ndjenjën e sigurisë te qytetarët.
Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe qarkullimit rrugor, ku policia do të përdorë mjete inteligjente dhe kontrolle të shtuara në akset kryesore urbane dhe interurbane, me qëllim uljen e aksidenteve gjatë natës së ndërrimit të viteve. Kontrollet do të përfshijnë edhe verifikimin e drejtuesve të mjeteve për respektimin e rregullave të qarkullimit.
Gjithashtu, policia do të kryejë kontrolle të vazhdueshme ndaj subjekteve dhe individëve që posedojnë ose tregtojnë lëndë piroteknike, si fishekzjarre dhe kapsolla, për të shmangur rreziqet dhe incidentet aksidentale. Prani e shtuar policore do të ketë në sheshe publike, pedonale, objekte kulti, ambiente argëtimi dhe qendra tregtare.
Autoritetet bëjnë të ditur se do të vijojë bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit në kohë reale mes strukturave policore, për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim. Policia u bën apel qytetarëve që të denoncojnë çdo paligjshmëri pranë patrullave në terren ose përmes numrave pa pagesë 129 dhe 112, duke garantuar ndërhyrje të menjëhershme gjatë gjithë ditëve të festimeve.
