
47-vjeçari i dënuar për vrasje të mbetur në tentativë humbi jetën në orët e para të mëngjesit nga arresti kardiak dhe hemorragjia në kokë
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 04:35, ka ndërruar jetë në Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza i dënuari i sigurisë së lartë Mihal Pavllo Mërkuri, 47 vjeç. Ai ishte i shtruar në Reanimacionin Qendror, në Pavijonin e Kirurgjisë, pas një ndërhyrjeje urgjente.
Sipas njoftimit zyrtar, shkaku i vdekjes ka qenë arresti kardiak i shoqëruar me hemorragji në kokë. Mërkuri ishte shtruar në QSUT më datë 18 janar 2026, rreth orës 20:21 dhe i ishte nënshtruar një operacioni për shkak të hemorragjisë së brendshme në abdomen, e njohur mjekësisht si hemoperitoneum.
47-vjeçari, i lindur më 25 janar 1979 dhe banues në Sarandë, ishte dënuar me 10 vite burg për veprat penale vrasje me dashje e mbetur në tentativë dhe prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit. Ai ishte ekstraduar nga Greqia më 20 qershor 2023 dhe në shkurt të vitit 2025 ishte transferuar në IEVP Burrel, pas qëndrimit në IEVP Korçë.
Autoritetet bëjnë me dije se për këtë rast po ndiqen të gjitha procedurat e parashikuara nga ligji, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes po dokumentohen nga institucionet përkatëse.
