Një i dënuar i sigurisë së lartë ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT).
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 04:35 ka ndërruar jetë Mihal Pavllo Mërkuri, i shtruar në Reanimacionin Qendror, në Pavijonin e Kirurgjisë. Vdekja ka ardhur si pasojë e arrestit kardiak dhe hemorragjisë në kokë.
Mërkuri, i datëlindjes 25 janar 1979, lindur dhe banues në Sarandë, vuante dënimin me 10 vjet burg për veprat penale “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, shkruan VoxNews.
Ai ishte ekstraduar nga Greqia në Shqipëri më datë 20 qershor 2023, pas një periudhe të gjatë kërkimi ndërkombëtar, ndërsa më 15 shkurt 2025 ishte transferuar në IEVP Burrel nga IEVP Korçë.
Sipas të dhënave zyrtare, Mërkuri është shtruar në QSUT më 18 janar 2026, rreth orës 20:21, dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të një hemorragjie të brendshme (hemoperitoneum). Pavarësisht ndihmës mjekësore, ai nuk ka mundur të mbijetojë.
Emri i Mihal Mërkurit është i njohur për drejtësinë shqiptare dhe greke. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për më shumë se 11 vite, pasi në nëntor të vitit 2006 kishte plagosur me armë zjarri biznesmenin Vendim Bejko në Sarandë. Për këtë ngjarje ishte dënuar në mungesë me 10 vite burg.
Në vitin 2017, Mërkuri u arrestua në Greqi, pasi policia greke goditi një rast të trafikimit të lëndëve narkotike në zonën e Vasilikos, pranë Igumenicës. Ai u kap së bashku me Panajot Demajn, teksa dyshohej se drejtonin një automjet që shërbente për kontrollin e rrugës për një furgon të ngarkuar me 214 kilogramë marijuanë. Dy shtetas të tjerë shqiptarë, që ndodheshin në furgon, arritën të largohen në momentin e ndërhyrjes së policisë greke.
Autoritetet bëjnë me dije se për vdekjen e Mërkurit po zbatohen të gjitha procedurat e përcaktuara ligjore, ndërsa pritet që organet kompetente të kryejnë verifikimet përkatëse sipas protokollit.
