
Ish-portieri italian u shua në gjumë pasi u ankua se nuk ndihej mirë, komuniteti sportiv e kujton si një njeri të jashtëzakonshëm
Ish-futbollisti dhe trajneri i portierëve Diego Ruspantini ka ndërruar jetë papritur në moshën 46-vjeçare, duke tronditur familjen, miqtë dhe komunitetin sportiv në Itali. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Porto Recanati, në rajonin Marche, ku ai jetonte me familjen e tij.
Sipas mediave italiane, Ruspantini kishte darkuar me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, para se të shkonte të pushonte duke u shprehur se nuk ndihej mirë. Më vonë gjatë natës, ai u gjet pa ndjenja në dhomën e gjumit dhe ekipet e emergjencës konstatuan se kishte ndërruar jetë.
Autoritetet kanë bërë me dije se vdekja është cilësuar si natyrale dhe e shkaktuar nga një sëmundje e papritur, megjithatë prokuroria e Maceratës ka urdhëruar analiza shtesë për të sqaruar plotësisht shkaqet, çka ka sjellë edhe shtyrjen e ceremonisë mortore.
Diego Ruspantini ishte një emër i njohur në futbollin amator italian. Ai e nisi karrierën e tij si portier në fund të viteve ’90 dhe ka luajtur në disa kategori të futbollit italian, nga Serie D deri në kampionatet rajonale. Pas përfundimit të karrierës si lojtar, ai u përkushtua si trajner portierësh dhe themeloi një akademi sportive për të rinjtë.
Akademia që ai drejtonte reagoi me një mesazh prekës, duke theksuar se vlerat e tij, përulësia, sakrifica, respekti dhe përkushtimi, do të vazhdojnë të jetojnë përmes brezave që ai ka formuar.
Banorët dhe autoritetet lokale e kanë përshkruar Ruspantinin si një njeri të qeshur, energjik dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar të tjerët, ndërsa humbja e tij konsiderohet një goditje e rëndë për komunitetin sportiv dhe qytetin ku ai jetonte.
