
Funerali do të mbahet më 23 janar në Romë, ndërsa trashëgimia e stilistit legjendar mbetet një nga kapitujt më të mëdhenj të modës italiane
Bota e modës është në zi. Në moshën 93-vjeçare është ndarë nga jeta Valentino Garavani, një nga figurat më ikonike dhe më me ndikim të haute couture-s botërore. Lajmi u konfirmua nga fondacioni Valentino Garavani dhe bashkëpunëtori i tij historik Giancarlo Giammetti, të cilët bënë me dije se stilisti u shua qetësisht në rezidencën e tij në Romë, i rrethuar nga njerëzit e afërt.
Ceremonia mortore do të mbahet të premten, më 23 janar 2026, në orën 11:00, në Basilica di Santa Maria degli Angeli e dei Martiri, në zemër të kryeqytetit italian. Më herët, homazhet do të zhvillohen në Piazza Mignanelli, aty ku ndodhet një nga adresat më simbolike të shtëpisë Valentino.
I lindur më 11 maj 1932 në Voghera, Valentino Garavani e lidhi fatin e tij me Romën, qytetin ku ndërtoi perandorinë e modës që do ta bënte të famshëm në mbarë botën. Pas një eksperience në Paris dhe bashkëpunimeve me emra të njohur të modës franceze, ai u rikthye në Itali, ku hapi atelierin e tij në Via dei Condotti dhe nisi një epokë të re për elegancën italiane.
Suksesi ndërkombëtar erdhi në vitin 1962, kur koleksioni i tij i prezantuar në Pitti Firenze mahniti kritikët dhe publikun. Revista Vogue e shpalli menjëherë një nga stilistët më të rëndësishëm të kohës, ndërsa fama e tij u përjetësua edhe në art, me portretin e realizuar nga Andy Warhol në vitin 1971.
Emri Valentino është i pandashëm nga Rosso Valentino, një nuancë e kuqe e fortë dhe elegante që u kthye në simbol të sensualitetit dhe luksit. Me këtë stil të veçantë, Garavani veshi figura legjendare të jet set-it ndërkombëtar, nga Jacqueline Kennedy Onassis te Elizabeth Taylor, Sharon Stone, Linda Evangelista dhe Julia Roberts.
Në vitin 2007, Valentino u tërhoq nga drejtimi aktiv i shtëpisë së modës, duke ia lënë trashëgiminë brezit të ri të krijuesve. Sot, marka Valentino udhëhiqet nga Alessandro Michele, ndërsa ndikimi i themeluesit të saj mbetet i gjallë në çdo koleksion.
Me ndarjen nga jeta të Valentino Garavanit, moda humb një ikonë, ndërsa Italia humb një nga ambasadorët më të mëdhenj të elegancës së saj në botë. Trashëgimia e tij do të vijojë të jetojë në histori, në pasarela dhe në imagjinatën kolektive të modës globale.
