
Nga Adnand Xholi tek Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj e Klodian Braho, katër emra me peshë, dosje të bujshme dhe rrugë të ndryshme drejt kreut të SPAK, që pritet të zgjidhet pas 8 tetorit.
Vetëm pak ditë para mbylljes së afatit zyrtar për dorëzimin e kandidaturave, gara për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është futur në fazën më të nxehtë. Deri tani janë zyrtarizuar katër emra që pritet të përballen për postin më të lartë në sistemin e drejtësisë speciale: Adnand Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho.
Secili prej tyre përfaqëson një profil të ndryshëm profesional dhe një histori suksesi në hetimin e dosjeve të bujshme që kanë tronditur politikën dhe krimin e organizuar në vend.
Adnand Xholi, aktualisht zëvendëskryetar i SPAK dhe drejtues i seksionit kundër krimit të organizuar, shihet si kandidati që gëzon mbështetje të brendshme në radhët e prokurorëve. Me një karrierë që përfshin drejtimin e prokurorive në Gjirokastër, Lezhë dhe Krimet e Rënda, Xholi ka në dosjet e tij hetime që kanë bërë histori, nga “Banda e Cërrikut” dhe ngjarja e “Qafë-Gjashtës” deri te rastet më të fundit të laboratorëve të kokainës në Shqipëri. Ky është rikthimi i tij në garë pas humbjes ndaj Altin Dumanit në raundin e kaluar.
Një tjetër emër i fuqishëm në listë është Doloreza Musabelliu, e vetmja grua në këtë garë dhe një ndër figurat më të spikatura të drejtësisë penale shqiptare. Prokurore e SPAK në seksionin kundër krimit të organizuar, Musabelliu ka hetuar dosje të mëdha si “Çopja”, “Plumbi i Artë” dhe “Toyota Yaris”. E diplomuar shkëlqyeshëm në Shkollën e Magjistraturës, ajo është përballur edhe me kërcënime serioze ndaj jetës së saj, pasi grupet kriminale që ka hetuar kanë tentuar ta eliminojnë fizikisht. Një karrierë e gjatë, e ndërtuar mbi përballje me rrezikun dhe vendosmëri për drejtësi.
Në garë hyn edhe Klodian Braho, shefi aktual i seksionit kundër korrupsionit në SPAK. Me një karrierë që ka nisur në Prokurorinë e Beratit dhe ka vijuar në Vlorë e Krimet e Rënda, Braho është i njohur për dosjet që kanë përfshirë zyrtarë të lartë, përfshi hetimet ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, aferën “5D” të Bashkisë së Tiranës dhe çështjen e inceneratorëve. Braho shihet si një prej figurave më këmbëngulëse në goditjen e korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit.
Kandidati i katërt, Elvin Gokaj, është prokuror në SPAK dhe njihet për një karrierë të gjatë drejtimi në disa prokurori të vendit, nga Burreli e deri në Durrës e Fier. Ai është përballur me periudha të vështira, por pastrimi i figurës dhe rikthimi i tij në detyrë nga Kolegji i Posaçëm i Apelit e bënë një kandidat të respektuar në sistem. Gokaj aktualisht ndjek dosje me profil të lartë, përfshirë rastet e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj dhe kryebashkiakut të Tropojës Rexhë Byberi.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të shqyrtojë platformat e secilit kandidat pas datës 8 tetor 2025, për të zgjedhur pasardhësin e Altin Dumanit në krye të institucionit që është bërë simbol i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.