
Pas një procesi konkurrimi të brendshëm, Dhimitraq Ziu emërohet në krye të Departamentit për Sigurinë Publike, ndërsa Rebani Jaupi transferohet në Akademinë e Sigurisë.
Policia e Shtetit ka zyrtarizuar një tjetër lëvizje në nivelet e saj të larta drejtuese. Dhimitraq Ziu është emëruar Drejtor i Departamentit për Sigurinë Publike, pas përfundimit të procesit të konkurrimit, ku është shpallur fitues dhe ka marrë gradën “Drejtues i Lartë”.
Para këtij emërimi, Ziu mbante detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Standardeve Profesionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Me këtë ndryshim, ai do të zëvendësojë Rebani Jaupin, i cili deri tani drejtonte Departamentin e Sigurisë Publike.
Sipas njoftimeve zyrtare, Jaupi është transferuar në Akademinë e Sigurisë, ku do të ushtrojë funksionin e Përgjegjësit të Departamentit të Formimit të Vazhdueshëm në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit.
Ndërkohë, opozita ka kërkuar një seancë dëgjimore me ministren Koçiu, duke e akuzuar se po shmang përgjegjësinë për situatën e rendit publik dhe ngjarjet e fundit që kanë tronditur vendin.