
Udhëzimi i ri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë parashikon kontrolle shtesë për ndërrimin e pronësisë, kilometrat e larta dhe shkëmbim të dhënash me Bashkimin Evropian
Nga fundi i vitit 2026, procesi i kolaudimit të automjeteve në Shqipëri do të ndryshojë ndjeshëm. Çdo ndryshim pronësie i një mjeti rrugor do të shoqërohet automatikisht me kryerjen e një kontrolli teknik të detyrueshëm, pavarësisht se kur është kryer kolaudimi i fundit. Ky parashikim përfshihet në një udhëzim të ri të Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, i publikuar në Fletoren Zyrtare, i cili hyn në fuqi më 1 dhjetor 2026.
Sipas rregullave të reja, autoriteti kompetent do të ketë të drejtë të kërkojë kontroll teknik edhe në raste të tjera specifike, përfshirë situatat kur automjeti ka përshkuar mbi 160 mijë kilometra. Kjo do të thotë se gjendja reale e mjetit do të verifikohet më shpesh, duke synuar rritjen e sigurisë rrugore dhe transparencës për blerësit e rinj.
Një tjetër risi lidhet me shkëmbimin ndërkombëtar të informacionit. Autoritetet shqiptare do të përdorin, kur është e aplikueshme, platformat e Komisioni Evropian për të shkëmbyer të dhëna mbi certifikatat e kontrollit teknik dhe leximet e odometrit me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Ky mekanizëm synon të luftojë manipulimin e kilometrave dhe të rrisë besueshmërinë e historikut të automjeteve.
Akses në këto platforma elektronike do të kenë edhe inspektorët e qendrave të kontrollit teknik, pronarët e mjeteve, si dhe ekspertët që merren me analizimin e aksidenteve rrugore. Përmes tyre do të jetë e mundur të sigurohen të dhëna mbi historikun e aksidenteve dhe informacion tjetër që lidhet me sigurinë e komponentëve të automjeteve të përfshira në ngjarje rrugore.
Udhëzimi parashikon gjithashtu një riformatim të plotë të kategorive të mjeteve, duke sjellë ndryshime të rëndësishme në mënyrën e klasifikimit të tyre. Qëllimi kryesor i këtyre masave është përafrimi i plotë i legjislacionit shqiptar me standardet dhe direktivat e Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë rrugore dhe kontrollit teknik të automjeteve.
