
Kryetari i Kuvendit thekson rëndësinë historike të dokumenteve të para shtetformuese, duke i cilësuar si busull për brezat e ardhshëm dhe rrugën europiane të Shqipërisë.
Në 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka uruar sot të gjithë shqiptarët, duke vënë theksin te reflektimi mbi trashëgiminë e themeluesve dhe misionin për të çuar vendin drejt një të ardhmeje europiane.
Peleshi theksoi se dokumentet kryesore të shtetformimit, të nënshkruara midis viteve 1912–1922, mbeten themelet e identitetit tonë politik dhe kombëtar. “Nga faqet që shkruajnë historinë, te dita që na bashkon të gjithëve, dokumentet themeluese të shtetit shqiptar mbeten busulla jonë historike, duke na kujtuar se liria dhe shtetësia jonë nisën pikërisht nga këto faqe që i dhanë formë Shqipërisë,” u shpreh ai.
Sipas Kryetarit të Kuvendit, aktet e para të shtetit shqiptar mishërojnë ambicien e një kombi për të qenë i lirë, sovran dhe në një rrugë të pandërprerë drejt Europës. Peleshi nderoi me respekt themeluesit që me vizion dhe guxim hapën kapitullin e parë të shtetit shqiptar.
Në kuadër të kësaj dite simbolike, ai publikoi edhe një video ku prezantohet libri me Aktet Themeluese të Shtetit Shqiptar 1912–1922, një botim që rikujton momentet më të rëndësishme të shtetformimit dhe shërben si udhërrëfyes për brezat që vijnë.
Mesazhi i Peleshit vjen në një atmosferë urimesh ndërkombëtare, ku partnerë të rëndësishëm, nga SHBA deri në Katar, kanë përshëndetur Shqipërinë në Ditën e Pavarësisë.
