
Raporti i Miprof tregon se 614 fëmijë të moshës 0 deri në 2 vjeç u pranuan në njësitë mjeko-gjyqësore për raste dhune seksuale, duke përbërë 2 për qind të totalit të viktimave.
Më shumë se 600 foshnja janë trajtuar në njësitë mjeko-gjyqësore në Francë gjatë vitit 2024 për raste të dhunës seksuale, sipas të dhënave të publikuara nga Misioni Ndërministror për Mbrojtjen e Grave. Raporti mbështetet në shifrat e Ministrisë së Shëndetësisë, ku rezulton se 614 fëmijë të moshës 0 deri në 2 vjeç u paraqitën si viktima të abuzimeve seksuale, duke përfaqësuar rreth 2 për qind të të gjitha viktimave të regjistruara.
Në total, 73 992 raste dhune seksuale dhe gjinore u trajtuan në këto struktura gjatë vitit të kaluar, rreth 9 000 më shumë se në vitin 2023. Shifrat vijnë në një periudhë kur debati për abuzimet ndaj të miturve është rikthyer fuqishëm në vëmendjen publike.
Rastet e fundit të bëra publike kanë përfshirë procedime ndaj një asistenteje në një shkollë në Hérault, e akuzuar për abuzime ndaj nëntë fëmijëve 3 deri 4 vjeç, si dhe një hetim tjetër në një spital në Montreuil që çoi në vënien nën hetim të një infermiereje dhe ish-partnerit të saj.
Sipas Komisionit të Pavarur për Incestin dhe Dhunën Seksuale ndaj Fëmijëve, rreth 160 mijë të mitur në Francë bien çdo vit viktima të dhunës seksuale. Për 22 për qind të rasteve, abuzimet fillojnë që nga lindja deri në moshën 5 vjeç.
