
Të dy udhëtonin së bashku në automjetin e blinduar pasi ishin kthyer nga Barcelona, ndërsa hetimet zbulojnë marrëdhënie shoqërore dhe lidhje të dyshuara me rrjetet e lojërave të fatit.
Detajet e atentatit të ndodhur pasditen e së martës në rrethrrotullimin e Rinasit po bëhen gjithnjë e më të qarta. Viktima Gilmando Dani dhe i plagosuri rëndë Muçi Shaljani, i njohur si “Sheqeri”, udhëtonin në të njëjtin automjet të blinduar pasi sapo ishin kthyer nga një udhëtim në Barcelonë më 7 nëntor. Mjeti luksoz “Benz” me të cilin lëviznin ishte në pronësi të Elvis Kosovës, emër i njohur për policinë.
Burime të hetimit konfirmojnë se Dani dhe Shaljani kishin marrëdhënie shoqërore prej kohësh. Lidhja mes tyre dyshohet se kalonte përmes rrethit të Emiljano Shullazit. Shaljani, i punësuar prej një muaji e gjysmë në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, ishte rekomanduar në detyrë pas mbështetjes politike në fushata dhe njihej nga policia si person i afërt me rrjetet e lojërave të fatit në kryeqytet.
Ndryshe nga roli zyrtar në AMP, burime të ndryshme tregojnë se Shaljani kishte ndikim në menaxhimin e pikave të basteve të paligjshme dhe në mbledhjen e detyrimeve për to, kryesisht në zonën e rrugës Fortuzi. Po ashtu ai rezulton të jetë pronar i një hoteli në qendër të Tiranës.
Sipas dinamikës së atentatit, autorët kanë ndjekur mjetin e blinduar dhe kanë hapur zjarr fillimisht nga një automjet në lëvizje, duke shkaktuar qindra goditje në drejtim të makinës ku ndodheshin Dani dhe Shaljani. Më pas njëri prej autorëve ka zbritur dhe ka qëlluar nga afër, ndërsa në vendngjarje dyshohet se ka pasur edhe kundërpërgjigje me armë. Në një zonë të thepisur në Halil të Krujës u gjet i djegur automjeti i autorëve, brenda të cilit ishin lënë tre kallashnikovë dhe një pistoletë.
Grupi hetimor po punon në disa pista që lidhen kryesisht me konfliktet për kontrollin e basteve të paligjshme. Duke qenë se i plagosuri është punonjës i AMP-së, pritet nisja e një verifikimi të brendshëm të strukturës për të përcaktuar shkallën e mundshme të infiltrimit nga rrjete kriminale.
SPAK është informuar për ngjarjen për shkak të karakterit të saj të ndjeshëm institucional. Hetimet vazhdojnë për identifikimin e autorëve dhe linjat e sakta të konfliktit që çuan në ekzekutimin e Gilmando Danit.
