
Pas riparimit të avarisë, Ujësjellësi njofton se uji nuk duhet përdorur për konsum dhe gatim për 48 orë
Një ditë para ndërrimit të viteve, Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë u ka bërë apel qytetarëve të Vlorës që të mos e përdorin ujin e rubinetit për të pirë apo për gatim, pavarësisht rikthimit të furnizimit pas riparimit të avarisë së rëndë në rrjet.
Sipas njoftimit zyrtar, sistemi i prodhimit dhe furnizimit me ujë është vendosur në funksion që në orët e para të mëngjesit. Zonat që furnizohen me regjim 24-orësh kanë nisur të marrin ujë, ndërsa pjesa tjetër e qytetit pritet të furnizohet gradualisht gjatë orëve të pasdites.
Megjithatë, autoritetet theksojnë se për shkak të procedurave të detyrueshme për kontrollin e cilësisë së ujit, qytetarët duhet të tregojnë kujdes maksimal. Në bashkëpunim me Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, do të ndiqet protokolli zyrtar për analizimin e parametrave të ujit, për të garantuar sigurinë e tij për konsum njerëzor.
Në këto kushte, Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që për 48 orët e para uji të përdoret vetëm për qëllime të jashtme, si pastrim apo nevoja teknike, dhe jo për pije apo gatim ushqimi.
Autoritetet kanë kërkuar ndjesë për shqetësimet e shkaktuara gjatë ditëve të fundit, duke falënderuar qytetarët për durimin dhe bashkëpunimin, ndërsa sigurojnë se situata po monitorohet nga afër për rikthimin e plotë dhe të sigurt të furnizimit me ujë të pijshëm në të gjithë qytetin e Vlorës.
