
Tramp zbret në Tel Aviv për të përshëndetur marrëveshjen historike të lirimit
Tel Aviv po jeton orët më të tensionuara të vitit. Sipas planit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, të hënën në mëngjes Hamas pritet t’i dorëzojë Kryqit të Kuq 48 pengjet e fundit izraelitë që ende mbahen në Rripin e Gazës, një moment që do të shënojë përfundimin e një prej krizave më dramatike të dekadës së fundit.
Vetëm pak orë më vonë, presidenti amerikan Donald Tramp do të mbërrijë në Izrael, në një vizitë të shkurtër por simbolike, për të përshëndetur zbatimin e marrëveshjes që solli paqe dhe kthim të jetëve njerëzore.
Që prej shpalljes së armëpushimit të enjten, atmosfera në Izrael është e ngarkuar me pritje dhe ankth. Flamujt e verdhë të solidaritetit me pengjet janë shndërruar në simbol kombëtar të vendosur në rrugë, sheshe, rrethrrotullime, madje edhe në dritaret e shtëpive.
“Ne duam t’i shohim të gjithë në shtëpi, të gjallë,” tha Shosh Bedrosian, zëdhënësja e kryeministrit Benjamin Netanyah. “Lirimi do të nisë herët në mëngjes dhe të gjithë do t’i dorëzohen njëkohësisht Kryqit të Kuq.”
Pas muajsh të tërë pasigurie, shpresa është zëvendësuar me një heshtje që flet shumë. Familjet e pengjeve kanë nisur të grumbullohen në Tel Aviv, pranë memorialit me portretet e të rrëmbyerve, aty ku për javë të tëra kanë kërkuar drejtësi dhe përgjigje.
Sipas burimeve diplomatike, operacioni i lirimit do të zhvillohet në disa faza të koordinuara mes ushtrisë izraelite, Kryqit të Kuq dhe ndërmjetësve egjiptianë e amerikanë.
Donald Tramp, i cili ka marrë rol aktiv në zbatimin e marrëveshjes, ka kushtëzuar fjalimin e tij në Knesset me përfundimin e suksesshëm të procesit. “Asnjë fjalim pa kthimin e plotë të pengjeve,” ka deklaruar ai për mediat amerikane.
Vizita e tij është parë si një përpjekje për të forcuar ndikimin amerikan në Lindjen e Mesme, ndërsa për Netanyahun përfaqëson një mundësi për të rifituar terren politik pas muajsh krize dhe kritika të brendshme.
Në Tel Aviv, ndërsa nata afrohet dhe ora e lirimit të pengjeve po afron, një fjali dëgjohet kudo, nga rrjetet sociale te familjet në rrugë: “Vetëm kur të kthehen, do të marrim frymë.”