
Që nga viti 2022, fëmijët 4–7 vjeç përfshihen në programe kadetësh, me marshime, disiplinë ushtarake dhe simulime armësh
Që prej nisjes së luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, autoritetet ruse kanë intensifikuar përfshirjen e fëmijëve në programe patriotike dhe ushtarake që nga mosha parashkollore. Në qytete të ndryshme të Rusisë, kopshte publike kanë krijuar grupe të quajtura kadetë, ku fëmijë 4 deri në 7 vjeç mësojnë të marshojnë, të zbatojnë urdhra dhe të njihen me logjikën e disiplinës ushtarake.
Sipas reportazhit të publikuar nga Le Monde, në disa kopshte organizohen takime edukative me prindër ose persona të veshur me uniforma ushtarake, të cilët prezantojnë armë false dhe shpjegojnë skenarë të ndryshëm lufte. Fëmijët stërviten në kalimin e pengesave, në rreshtim dhe në pozicione mbrojtëse, përfshirë edhe situata që lidhen me kërcënime ekstreme.
Këto iniciativa janë pjesë e një strategjie më të gjerë të shtetit rus për të forcuar ndjenjën e patriotizmit dhe bindjes ndaj autoritetit që në moshë shumë të vogël. Programet mbështeten nga struktura shtetërore dhe lidhen drejtpërdrejt me narrativën zyrtare të promovuar nga Kremlini pas nisjes së ofensivës ndaj Ukraina.
Në shumë raste, fëmijët mbajnë veshje simbolike, si bereta të kuqe kadetësh, dhe marrin pjesë në aktivitete kolektive që imitojnë ceremoni ushtarake. Qëllimi, sipas autoriteteve, është edukimi qytetar dhe përgatitja morale, por kritikët paralajmërojnë se një qasje e tillë rrezikon normalizimin e dhunës dhe militarizimin e shoqërisë që në fazat më të hershme të zhvillimit.
Ekspertë të arsimit dhe të të drejtave të fëmijëve shprehin shqetësim se përfshirja e temave të luftës dhe armëve në edukimin parashkollor mund të ketë pasoja afatgjata psikologjike. Megjithatë, në Rusi, këto programe po shtrihen gjithnjë e më shumë, duke u kthyer në një element të qëndrueshëm të sistemit arsimor për fëmijët më të vegjël.
