
Aldo Gjini dhe Islam Sefa, të lidhur me grupin e Rrajave, akuzohen për trafik droge, tentativë vrasjeje dhe veprimtari të përsëritur kriminale.
SPAK ka goditur këtë të mërkurë një grup të strukturuar kriminal në Fushë-Krujë, i dyshuar për trafik droge që prej vitit 2020, duke vënë nën hetim dhe masa sigurie disa persona, mes të cilëve Aldo Gjini dhe Islam Sefa – dy emra të njohur në botën e krimit dhe të përmendur më herët në ngjarje të rënda penale.
Aldo Gjini, i lidhur me grupin e Rrajave, është një figurë e njohur për policinë, teksa ndaj tij janë regjistruar ngjarje të shumta. Në korrik të vitit 2021, ai u përfshi në një konflikt në Tiranë pas një përplasjeje automjetesh, që degjeneroi në përdorim arme. Gjini qëlloi me pistoletë drejt Altin Gjokës dhe Jetmir Marashit, dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Ndaj tij rezultojnë edhe akuza të mëparshme me karakter ndërkombëtar. EUROPOL e ka shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje, trafik armësh dhe municionesh, si dhe dyshohet se ka plagosur një person në Luksemburg në vitin 2020. Sipas dosjeve, në vitin 2016 ai është arrestuar në Itali për shpërndarje droge.
Në dosje përfshihet edhe Islam Sefa, i arrestuar një vit më parë në një lokal pranë godinës së SPAK, në momentin kur po priste një avokat. Ai akuzohet si drejtues dhe financues i një rrjeti trafiku droge drejt Gjermanisë, me vlerë rreth 3.3 milionë euro. SPAK ka identifikuar gjithsej 12 anëtarë të grupit, 8 shqiptarë dhe 4 gjermanë, të cilët dyshohet se kanë transportuar sasi të konsiderueshme marijuane gjatë viteve 2020-2021.
Sefa është gjithashtu vëllai i Bujar Sefës, i dënuar me 10 vite burg për kultivim narkotikësh në kuadër të një grupi kriminal.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës së trafikut, burimet financiare dhe lidhjet e rrjetit në Shqipëri dhe jashtë vendit.
