
Pas më shumë se dhjetë vitesh martesë dhe tre fëmijëve, Neda Balluku dhe bashkëshorti i saj Ogren Balluku i kanë dhënë fund lidhjes së tyre. Dyshja u njoh në vitin 2010 gjatë spektaklit Big Brother Albania dhe u konsideruan ndër çiftet më të komentuar të asaj periudhe. Martesa e tyre u kurorëzua në vitin 2015 dhe nga ajo lindën tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë.
Së fundmi, Neda ka konfirmuar zyrtarisht lajmet për ndarjen, duke pohuar se krizat mes tyre kanë qenë të përsëritura me kalimin e viteve. Ajo është shprehur se marrëdhënia nuk ka qenë e shëndetshme gjatë një kohe të gjatë dhe se tashmë ata jetojnë të ndarë.
Lajmet janë të vërteta. Nuk është hera e parë që jam në këtë situatë. Një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe pesë vite më parë. Prej shumë vitesh, marrëdhënia nuk është e shëndetshme. Prej disa kohësh, jetojmë të ndarë, ka thënë ajo, duke theksuar se e vetmja gjë që i intereson në këtë periudhë është mirëqenia e fëmijëve.
Çështja e divorcit është regjistruar në Gjykatën e Tiranës dhe palët mësohet se kanë rënë dakord për një marrëveshje miqësore, që përcakton ndarjen e përgjegjësive pas përfundimit të martesës.
Historia e tyre nisi si romancë televizive dhe u shndërrua në një marrëdhënie familjare që zgjati më shumë se një dekadë. Tani, rrugët e tyre po ndahen në qetësi, ndërsa fokusi i vetëm mbetet rritja dhe mbrojtja e fëmijëve.
