
Qindra persona sfiduan të ftohtin dhe stuhinë e borës për të nderuar 40 viktimat e tragjedisë së Constellation, në një ditë zie kombëtare në Zvicër.
Në një atmosferë të rënduar nga dhimbja dhe heshtja, qyteti alpin i Crans-Montana është mbledhur nën borë për të nderuar viktimat e zjarrit tragjik që goditi kompleksin Constellation. Në ditën e shpallur zi kombëtare në Zvicra, qindra qytetarë janë mbledhur për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore, duke sfiduar temperaturat e ulëta dhe erërat e forta.
Me lot në sy dhe në një heshtje të thellë, banorë, familjarë dhe miq të viktimave u mblodhën para dy ekraneve gjigante të vendosura pranë kapelës St-Christophe, në zemër të qytetit. Ceremonia u transmetua drejtpërdrejt, ndërsa pjesëmarrësit qëndruan pranë njëri-tjetrit për të ndarë dhimbjen e përbashkët.
Tragjedia la pas 40 viktima, mes tyre nëntë shtetas francezë, si dhe 116 persona të plagosur. Shumë nga të pranishmit deklaruan se kishin humbur të afërm, miq apo njohje në zjarrin shkatërrues të ndodhur natën e Vitit të Ri. Disa kishin ardhur nga zona përreth, ndërsa të tjerë udhëtuan për orë të tëra vetëm për të qenë pjesë e këtij homazhi të fundit.
Ceremonia përfaqësonte jo vetëm një moment zie, por edhe uniteti për një komunitet të tronditur thellë. Nën reshjet e dendura të borës, Crans-Montana u shndërrua në simbol të dhimbjes, solidaritetit dhe kujtesës për jetët e humbura në një nga tragjeditë më të rënda që ka njohur së fundmi Zvicra.
