
Operacion në një restorant në periferi të Tiranës, hetimet zbulojnë dyshime për rrjet trafiku
Ervin Kaftiraj është arrestuar nga strukturat e Antidrogës së Tiranës gjatë një operacioni të zhvilluar në një restorant të njohur në periferi të kryeqytetit. Burime policore bëjnë me dije se gjatë kontrollit fizik, atij i është gjetur dhe sekuestruar mbi 1 kilogram lëndë narkotike e dyshuar kokainë.
Sipas Policisë, Kaftiraj ndodhej prej disa muajsh nën përgjim dhe vëzhgim të vazhdueshëm nga shërbimet e Antidrogës, të cilat monitoronin lëvizjet dhe kontaktet e tij. Arrestimi erdhi si rezultat i një hetimi të mirëorganizuar, që kulmoi me ndërhyrjen në flagrancë të forcave policore.
I arrestuari njihet në Tiranë për aktivitetin e tij në fushën e makinave me qira luksoze dhe mjeteve retro, një profil që sipas hetuesve dyshohet se përdorej edhe si mbulesë për veprimtari të paligjshme.
Policia e Shtetit konfirmon se hetimet po vijojnë për të identifikuar dhe dokumentuar personat e tjerë të përfshirë në këtë rast, si dhe për të zbuluar nëse Kaftiraj ishte pjesë e një rrjeti më të gjerë të trafikut të drogës.
Materialet procedurale pritet t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa operacioni konsiderohet një tjetër goditje e rëndësishme ndaj shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet.
