
Gruaja 28-vjeçare nga Luiziana përballet me akuzë për vrasje të shkallës së parë, ndërsa autoritetet zbulojnë detaje tronditëse nga ngjarja
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Luizianën në Shtetet e Bashkuara, ku një nënë 28-vjeçare është arrestuar dhe akuzuar për vrasjen e vajzës së saj 1-vjeçare. Sipas autoriteteve lokale, Kristen Bass dyshohet se ka qëlluar për vdekje fëmijën e saj më 1 janar në banesën familjare në qytetin Sulphur.
Policia u thirr në vendngjarje rreth orës 20:21 të mbrëmjes, pas raportimit për të shtëna me armë zjarri. Kur efektivët mbërritën, gjetën fëmijën të pajetë. Vajza e mitur u identifikua si Acelynn Moss. Në lidhje me ngjarjen, nëna e saj u vu menjëherë në pranga dhe ndaj saj u ngrit akuza për vrasje të shkallës së parë. Ajo po mbahet në paraburgim me një garanci prej 10 milionë dollarësh.
Babai i fëmijës, Bradley Moss, ka deklaruar për mediat lokale se ka dëgjuar një zhurmë të fortë dhe ka vrapuar drejt dhomës, ku gjeti vajzën e qëlluar dhe nënën e saj duke mbajtur armën në dorë. Në dhomë ndodhej edhe vajza tjetër e çiftit, 2 vjeçe, e cila po qante dhe kërkonte ndihmë.
Sipas dëshmisë së babait, nëna i kishte thënë se e kishte qëlluar vajzën për ta dërguar te Zoti dhe kishte lënë të kuptohej se kishte ndërmend të qëllonte edhe fëmijën tjetër. Vajza e dytë fatmirësisht nuk u lëndua.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe gjendjen mendore të të dyshuarës. Policia ka bërë thirrje që çdo person që ka informacion shtesë lidhur me rastin të kontaktojë strukturat përkatëse hetimore.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe ka rihapur debatin mbi shëndetin mendor, dhunën në familje dhe mbrojtjen e fëmijëve.
