
Pas vrasjes së 15-vjeçarit në shkollë, nëna e tij kërkon vendosjen e “Kutive të emergjencës për ndalimin e gjakderdhjes” në çdo shkollë për të shpëtuar jetë të tjera.
Nëna e Harvey Willgoose, adoleshentit 15-vjeçar të vrarë me thikë në një shkollë në Sheffield, ka folur me lot në sy për dhimbjen që po i shkaktojnë komentet e rreme në rrjetet sociale, ku disa përdorues kanë shpërndarë pretendime të pavërteta se djali i saj ka qenë ngacmues apo bullizues.
Harvey u vra gjatë pushimit të drekës në shkollën “All Saints High School” nga bashkëmoshatari i tij, Mohammed Umar Khan, po 15 vjeç, i cili u dënua me burgim të përjetshëm me minimum 15 vite qëndrimi në qelitë për të mitur. Por pas përfundimit të gjyqit, nëna e Harveyt, Caroline Willgoose, thotë se po përballet me dhimbje të reja: shpifje dhe përmbajtje të dëmshme në TikTok dhe rrjete të tjera.

“Po bëhen video ku thonë se Harvey ishte ngacmues, se meritonte atë që i ndodhi. Por nuk është e vërtetë. Ai dhe Umar dikur ishin miq. I quanin veten ‘Tre Amigos’. Ai nuk është këtu të mbrohet dhe kjo po më vret më shumë se çdo gjë”, ka thënë ajo.
Sipas Carolines, shumë nga bashkëmoshatarët e Harveyit vazhdojnë të ulen çdo ditë në stol përpara shtëpisë së tyre, vend ku ai rrinte shpesh, për të kujtuar shokun e humbur. “Ata nuk duan që ai të harrohet”, tregon ajo.
Caroline ka nisur një fushatë që në çdo shkollë të vendosen “Kutive të emergjencës për ndalimin e gjakderdhjes”, pajisje që ndihmojnë në ndalimin e gjakderdhjes në rast emergjence. Sipas saj, këto pajisje mund të kishin shpëtuar jetën e djalit të saj.
“Një person mund të vdesë për 3 deri në 5 minuta nga gjakderdhja e rëndë. Ambulanca mbërriti në 7 minuta. Djali im do të ishte ende këtu sot nëse shkolla do të kishte pajisjet”, tha ajo.
Caroline thotë se është e gatshme të marrë pjesë edhe në procesin e drejtësisë mirëbërëse, ku viktima dhe autori takohen, për aq kohë sa takimi zhvillohet me respekt dhe pa sfida provokuese.
Në përfundim, ajo thotë se këtë tragjedi e kanë prodhuar dështimet e sistemit: “Djalin tim e humba dhe një tjetër djalë do të kalojë rininë pas hekurave. Dy familje janë shkatërruar. Të dy djemtë janë lënë në baltë nga të rriturit që duhet t’i mbronin.”
Caroline synon që asnjë prind tjetër të mos kalojë dhimbjen që po jeton ajo.
