
Gruaja vrapoi drejt plumbave dhe mbrojti me trupin e saj një vajzë trevjeçare gjatë sulmit terrorist në plazhin e famshëm australian
Një histori tronditëse guximi dhe humanizmi ka prekur opinionin publik në Australi, pasi një nënë shtatzënë u ribashkua me prindërit e një vajze trevjeçare, të cilën ajo e shpëtoi gjatë sulmit terrorist në Bondi Beach. Gruaja, e quajtur Jess, përdori trupin e saj si mburojë njerëzore për të mbrojtur fëmijën nga plumbat, në një nga momentet më të errëta të ngjarjes që mori jetën e 16 personave.
Sulmi ndodhi mbrëmjen e së dielës, pak para orës 19:00, teksa qindra njerëz ishin mbledhur për eventin Chanukah by the Sea. Sipas autoriteteve, Naveed Akram 24 vjeç dhe babai i tij 50 vjeç, Sajid Akram, hapën zjarr me armë të rënda ndaj turmës së qytetarëve të pafajshëm.
Në kaosin e krijuar, Vanessa dhe bashkëshorti i saj Wayne humbën vajzën e tyre trevjeçare, Gigi. Teksa prindërit e kërkonin me panik, Jess, e cila ishte pesë muajshe shtatzënë dhe e ndarë nga djali i saj në rrëmujë, pa vajzën duke qarë e vetme në një hapësirë të hapur.
Ajo vrapoi drejt saj, e kapi dhe u shtri mbi trupin e vogël, duke e mbuluar me gjithë forcën e saj ndërsa plumbat vazhdonin të binin përreth. Sipas dëshmisë së saj, ajo i fliste vazhdimisht vajzës për ta mbajtur të qetë, duke i thënë se ishte e sigurt dhe se askush nuk do t’i lëndonte.
Pamjet filmike nga vendngjarja tregojnë Jess me gjak që i rridhte nga balli, teksa vazhdonte të qëndronte mbi Gigi deri në përfundim të sulmit. Wayne e gjeti vajzën e tij ende nën mbrojtjen e gruas, e cila nuk ishte larguar asnjë çast.
Ribashkimi mes dy familjeve u shoqërua me emocione të forta dhe lot. Vanessa falënderoi publikisht Jess, duke deklaruar se vajza e saj nuk do të ishte gjallë pa aktin e saj heroik. Ajo theksoi se, ndërsa të gjithë po vraponin për të shpëtuar jetën e tyre, Jess vrapoi drejt rrezikut për të mbrojtur një fëmijë që nuk e njihte.
Jess, nga ana e saj, u shpreh se thjesht bëri atë që çdo nënë do të bënte. Ajo tha se kishte frikë, por në atë moment mbrojtja e vajzës ishte e vetmja gjë që kishte rëndësi. Pas përfundimit të sulmit, ajo arriti të gjente edhe djalin e saj të sigurt pranë gjyshes.
Bilanci i sulmit është tragjik, me 16 të vdekur, përfshirë edhe një nga autorët, dhe 42 të plagosur, mes tyre katër fëmijë. Mes viktimave janë figura të njohura të komunitetit hebre dhe qytetarë të pafajshëm, ndërsa Bondi Beach është kthyer në një vend homazhesh dhe zie për jetët e humbura.
