
Submarini Krasnodar u monitorua për tre ditë nga helikopterët dhe anijet e Royal Navy, ndërsa Londra paralajmëron për rritje të kërcënimit rus ndaj infrastrukturës nënujore të Mbretërisë së Bashkuar
Një nëndetëse ruse e klasës Kilo, e njohur për aftësitë e saj të fshehtësisë dhe e quajtur shpesh Black Hole, është përgjuar nga Royal Navy teksa lëvizte nëpër Kanalin Anglez gjatë një stuhie të fortë. Submarini Krasnodar, i shoqëruar nga rimorkiatori Altay, kaloi nga Deti i Veriut drejt ngushticës së Doverit, përpara se të hynte në ujërat e kanalit.
Operacioni i mbikëqyrjes u zhvillua në bashkëpunim me NATO-n dhe zgjati tre ditë. Anija mbështetëse RFA Tidesurge përdori helikopterin Merlin për të monitoruar lëvizjet e nëndetëses, e cila njihet për armatimin e saj të avancuar, duke përfshirë torpeda, mina detare dhe raketa me rreze të gjatë Kalibr. Marina britanike theksoi se prania e saj e dukshme është thelbësore për sigurinë kombëtare.
Incidenti vjen vetëm disa ditë pasi Ministria britanike e Mbrojtjes paralajmëroi për rritjen e aktivitetit të flotës ruse në ujërat pranë Britanisë. Sipas Royal Navy, numri i anijeve dhe nëndetëseve ruse që konsiderohen kërcënim është rritur me rreth 30 për qind në dy vitet e fundit. Ministri i Mbrojtjes, John Healey, deklaroi se Rusia po harton harta të kabllove nënujore dhe të tubacioneve energjetike britanike, duke zhvilluar aftësi të reja të dedikuara për t’i goditur ato në rast konflikti.
Për t’iu përgjigjur këtij rreziku, Mbretëria e Bashkuar ka lançuar projektin Atlantic Bastion, një forcë e re e pajisur me dronë, gliderë dhe avionë survejimi për të mbrojtur infrastrukturën delikate nën det. Ndërkohë, në fillim të muajit, Britania dhe Norvegjia nënshkruan marrëveshjen Lunna House për mbrojtjen e kabllove detare në Atlantik.
Nëndetësja Krasnodar ka qenë aktive në Detin e Zi gjatë luftës së Ukrainës dhe vazhdon të jetë një prej mjeteve kryesore të kapaciteteve detare ruse. Pasi arriti pranë ishullit Ushant në brigjet veriperëndimore të Francës, monitorimi i saj iu dorëzua një aleati të NATO-s.
Royal Navy ka pohuar se do të vijojë të ndjekë nga afër çdo aktivitet rus pranë ujërave britanike, duke e cilësuar situatën si një nga sfidat më të rëndësishme të sigurisë aktuale në Evropë.
