

Delegatë të shumtë braktisin sallën gjatë fjalimit të Netanyahut, ndërsa kryeministri izraelit refuzon njohjen e Palestinës dhe përgatitet për takimin me Donald Trump.
Kryeministri izraelit Benyamin Netanyahou mbajti një fjalim sfidues më 26 shtator në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork, ku u përball me një bojkot të hapur nga shumë delegatë të vendeve anëtare, të cilët u larguan nga salla sapo ai nisi të fliste. Pavarësisht izolimit diplomatik, Netanyahou përdori tribunën për të ripërsëritur arsyetimin e tij mbi politikat dhe ofensivat ushtarake të Izraelit në Gaza dhe në Lindjen e Mesme.
Në një ton të ashpër, ai e hodhi poshtë kategorikisht njohjen e shtetit palestinez nga disa vende, mes tyre Franca, Britania e Madhe, Kanadaja dhe Australia, duke e quajtur një akt që rrezikon vetë ekzistencën e Izraelit. “Izraeli nuk do të lejojë të na impononi një shtet terrorist. Nuk do të kryejmë vetëvrasje kombëtare vetëm pse disa nuk kanë kurajon të përballen me turma antisemitike dhe media armiqësore”, -deklaroi Netanyahou. Ai e krahasoi njohjen e Palestinës me dhënien e një shteti Al-Qaidas.
Megjithatë, fjalimi i tij ishte më tepër një mesazh i drejtpërdrejtë për opinionin publik izraelit dhe për Shtetet e Bashkuara. Vendimet më të rëndësishme për vijimin e ofensivës në Gaza, negociatat për lirimin e pengjeve dhe të ardhmen e Bregut Perëndimor, pritet të merren në takimin e planifikuar të Netanyahut me presidentin amerikan Donald Trump më 29 shtator. Trump ka paraqitur një plan në 21 pika, i cili synon të japë një rrugëdalje politike nga konflikti, megjithëse detajet ende nuk janë bërë publike.
Ky episod nënvizon izolimin gjithnjë e më të madh të Izraelit në arenën ndërkombëtare, ndërkohë që lufta në Gaza vazhdon me pasoja shkatërruese për popullsinë palestineze dhe me kritika të rritura nga aleatët perëndimorë.