

Plani 20-pikësh i Trump shihet si ultimatum për Hamasin, ndërsa mbi 66 mijë palestinezë kanë humbur jetën që nga tetori 2023.
Në një konferencë të përbashkët në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyah ka deklaruar se ka rënë dakord me planin 20-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump, i cili synon t’i japë fund luftës shkatërruese në Gaza.
Netanyahu gjithashtu i kërkoi falje Katarit për vrasjen e një qytetari të tij, gjatë një sulmi në Doha, më herët këtë muaj, duke theksuar rëndësinë e rolit të këtij vendi në procesin e ndërmjetësimit.
Nga ana tjetër, zyrtari i Hamasit, Mahmoud Mardawi, deklaroi se grupi ende nuk ka marrë versionin e shkruar të planit. Një burim diplomatik konfirmoi se Katar dhe Egjipti ia kanë dorëzuar propozimin ekipit negociator të Hamasit, i cili premtoi se do ta shqyrtojë. Analistët paralajmërojnë se plani shihet si një ultimatum për dorëzim, pasi parashikon çarmatimin e Gazës dhe shpërbërjen e rrjeteve të rezistencës.
Ndërkohë, bombardimet nuk kanë pushuar. Të paktën 33 palestinezë janë vrarë vetëm sot që nga agimi, ndërsa shifrat totale të luftës që nga tetori 2023 janë katastrofike: mbi 66 mijë të vrarë dhe 168 mijë të plagosur, pa llogaritur mijëra të tjerë ende nën rrënoja. Nga pala izraelite, sulmet e 7 tetorit 2023 shkaktuan 1 139 viktima dhe rreth 200 pengje.
Plani i Trump, i mbështetur nga Netanyahu, pritet të përballet me debate të forta, sidomos mes partnerëve të koalicionit qeverisës, të cilët deri më tani kanë heshtur. Hamas, në anën tjetër, gjendet përballë një presioni të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, duke pasur pak hapësirë për manovrim.