
I njohur për metodën e pazakontë të grabitjeve në Itali, 33-vjeçari Flori Paluçi u përfshi në konfliktin që përfundoi me dy të vrarë në Durrës.
Flori Paluçi, 33 vjeç, një nga dy viktimat e ngjarjes tragjike të ndodhur mëngjesin e sotëm në Manëz të Durrësit, rezulton të ketë pasur një të kaluar kriminale jashtë vendit. Ai ishte arrestuar në vitin 2015 në Itali, si pjesë e një bande grabitësish që vepronin në disa qytete, duke përdorur një metodë të veçantë, hapjen e vrimave në muret e bizneseve për të depërtuar brenda dhe për të grabitur sende me vlerë.
Sipas hetimeve të kryera nga autoritetet italiane, grupi ku bënte pjesë Paluçi përbëhej nga gjashtë shtetas sicilianë dhe ai si i vetmi shqiptar. Ata kishin kryer disa grabitje të dhunshme në zonat e Ravennas dhe Alfonsines, ku brenda pak javësh kishin arritur të vidhnin bizhuteri dhe sende me vlerë që kapnin vlerën e rreth 200 mijë eurove. Në një prej rasteve, grabitësit kishin kërcënuar edhe pronarin e dyqanit duke përdorur armë lodër për ta trembur.
Ndërkohë, ngjarja e sotme në Manëz nisi për arsye banale; një kafe. Paluçi kishte kërkuar të porosiste në lokal, por kamarieri e kishte njoftuar se ekspresi ishte fikur. Ky moment shkaktoi përplasje verbale, ku ndërhyri 23-vjeçari Aranit Kurti, kushëri i 21-vjeçarit Daniel Pepa. Gjatë debatit, Paluçi nxori armën dhe qëlloi mbi Kurtin, duke e lënë të vdekur në vend.
Pak minuta më pas, në vendngjarje mbërriti Pepa, i cili, sipas policisë, mori armën dhe qëlloi mbi Paluçin, duke e vrarë atë në vend. Ngjarja e rëndë ka tronditur zonën, ndërsa Pepa ndodhet ende në kërkim. Policia ka shoqëruar disa persona për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.