
Nga Katmanduja në Antananarivo e deri në Rabat, gjenerata që dikur quhej apolitike po ngrihet në valë protestash që sfidojnë pushtetet, korrupsionin dhe varfërinë, duke përdorur një armë të re, fuqinë e internetit.
Një frymë e re protestash po përshkon globin. Nga Azia Jugore në Afrikën Veriore, Gjenerata Z, të rinjtë e lindur mes viteve 1997 dhe 2012, ka marrë në dorë skenën politike, duke përmbysur stereotipin e brezit të heshtur e pasiv. Në Nepal, Madagaskar dhe Marok, valë të fuqishme zemërimi kanë shpërthyer në rrugë, duke sfiduar regjimet, korrupsionin dhe mungesën e perspektivës ekonomike.
Në Katmandu, pamjet e Parlamentit në flakë dhe të zyrtarëve që iknin mes turmave të irrituara u shpërndanë me shpejtësi marramendëse në rrjete sociale, duke ndezur debat global. Kjo valë nisi pas verës së trazuar që përfshiu Indonezinë, Timorin Lindor, Filipinet dhe Kenian, ku protestat kundër qeverive lokale morën përmasa masive.
Në Madagaskar, lëvizja që mban emrin “Gen Z Madagascar” ka mobilizuar mijëra të rinj në rrugët e Antananarivos. Me bluza që përzihen midis simboleve të kulturës pop dhe pankartave kundër papunësisë, korrupsionit dhe çmimeve të larta, ata po kërkojnë një të ardhme që ndjejnë se u është mohuar. “Nuk duam të ikim jashtë, duam të jetojmë me dinjitet këtu,” -shkruhet në një prej banderolave më të shpërndara në rrjete.
Ndërkohë në Marok, pas tragjedisë së tërmetit dhe rritjes së kostos së jetesës, protestat e studentëve dhe aktivistëve digjitalë janë kthyer në një valë të re vetëdijeje qytetare. Me fushata online që marrin miliona klikime në TikTok e X, ata po koordinojnë çdo hap të lëvizjes përmes platformave që dikur shërbenin për argëtim.
Këto protesta nuk kanë një lider të vetëm, por një rrjet global solidariteti, ku çdo klikim, video apo postim mund të ndizë një revoltë. Për herë të parë, një brez i lidhur më shumë me ekranin se me tribunën, po tregon se aktivizmi dixhital mund të kthehet në aksion real.
“Është një mënyrë e re për të sfiduar botën,” -shkruan autori Maxime Dubernet de Boscq. “Një revolucion që nuk ndjek liderë, por ndjek algoritme dhe megjithatë, ndikon më shumë se çdo lëvizje tradicionale politike.”
Në këtë valë që përfshin kontinente, një gjë është e qartë: gjenerata që u cilësua si e përgjumur, është zgjuar. Dhe bota po e ndien tronditjen.