
Pas lavdisë olimpike, shumë sportistë përballen me varfëri, borxhe dhe mungesë sigurie financiare, duke zbuluar anën e errët të sportit elitar
Rënia nga podiumi olimpik drejt vështirësive financiare është një realitet më i shpeshtë sesa mendohet. Shumë ish-kampionë olimpikë, që dikur fituan medalje, famë dhe zemrat e publikut, sot përballen me borxhe, mungesë të ardhurash dhe forma ekstreme mbijetese, përfshirë shitjen e medaljeve dhe jetesën në makina.
Një nga rastet më të bujshme është ai i notarrit amerikan Ryan Lochte, një nga sportistët më të dekoruar në historinë olimpike. Edhe pse ka fituar gjashtë medalje ari, tre argjendi dhe tre bronzi, ai ka shitur së fundmi tre medalje ari në ankand për mbi 385 mijë dollarë. Lochte ka pranuar më herët se nga të ardhura mbi një milion dollarë në vit, kishte rënë në një realitet ku jetonte nga një pagesë mujore në tjetrën.
Në të njëjtën situatë është gjendur edhe legjenda e zhytjes Greg Louganis, i cili ka shitur tre nga pesë medaljet e tij olimpike dhe madje edhe shtëpinë, duke pranuar publikisht se mungesa e menaxhimit financiar e kishte çuar drejt kësaj pike.
Historia e ish-patinatores artistike Debi Thomas është po aq tronditëse. Fituesja e medaljes së bronztë në Lojërat Olimpike Dimërore 1988, e diplomuar dhe mjeke ortopede, përfundoi vite më vonë duke jetuar në një rimorkio të rrënuar dhe duke humbur medaljen për shkak të falimentimit.
Edhe ikonë amerikane e gjimnastikës Mary Lou Retton, kampione olimpike në vitin 1984, u përball me mungesë sigurimi shëndetësor gjatë një sëmundjeje të rëndë dhe vetëm një fushatë donacionesh e shpëtoi nga faturat spitalore shkatërruese. Më pas, jeta e saj personale mori një tjetër kthesë negative me probleme ligjore dhe financiare.
Rastet e vështirësive vazhdojnë edhe te sportistë më pak të njohur. Disa ish-olimpikë kanë rrëfyer se kanë fjetur në makina ose nën tavolina bilardoje, ndërsa të tjerë kanë grumbulluar dhjetëra mijëra dollarë borxhe, për shkak të mungesës së edukimit financiar dhe përkrahjes institucionale pas largimit nga sporti elitar.
Një fenomen i ri është edhe përdorimi i platformave online për të siguruar të ardhura. Kampionia gjermane e bobit Lisa Buckwitz ka pranuar se përdor OnlyFans për të financuar karrierën e saj sportive, duke deklaruar se medalja e artë nuk mjafton për të mbijetuar financiarisht.
Ekspertët e sportit theksojnë se shumica e olimpikëve kalojnë vite të tëra të fokusuar vetëm te stërvitja, duke mbetur pas bashkëmoshatarëve të tyre që ndërtojnë karrierë profesionale. Kur sporti përfundon, shumë prej tyre përballen me realitetin e ashpër të tregut të punës, pa përvojë dhe pa rrjet sigurie.
Këto histori hedhin dritë mbi një problem të thellë strukturor në sportin elitar global, ku lavdia është e përkohshme, ndërsa pasiguria financiare për shumë kampionë mbetet një plagë e hapur edhe vite pas mbylljes së karrierës.
