
Kryeqyteti nis përgatitjet festive, ndërsa kryebashkiaku i rikthyer në detyrë mbetet ende pas hekurave
Erion Veliaj, i rikthyer në detyrë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka dhënë urdhrin e tij të parë si kryebashkiak nga qelia. Ai ka kërkuar që Bashkia e Tiranës të nisë menjëherë zbukurimet dhe ndriçimet e fundvitit në sheshe, rrugë dhe hapësira publike.
Sipas urdhrit, Ndërmarrja e Dekorit dhe Eventeve duhet të vendosë dritat dhe elementet festive duke respektuar standardet e sigurisë dhe kriteret teknike e estetike të parashikuara. Në dokument përmendet gjithashtu se, në zbatim të vendimit nr. 420 të Këshillit të Ministrave, duhet të dekorohet edhe fasada e godinave të ministrive, sipas kërkesave të institucioneve përkatëse.
Vendimi i Kushtetueses, i marrë me 5 vota pro dhe 3 kundër, i dha Veliajt të drejtën të vazhdojë mandatin e tij, duke rrëzuar aktet e shkarkimit. Pavarësisht kësaj, ai ndodhet ende në qeli, në pritje të zhvillimeve të mëtejshme ligjore.
Veliaj, në reagimin e dhënë pas vendimit, e quajti këtë një rikthim të besimit tek ligji dhe tek vota e qytetarëve të Tiranës. Ndërkohë, përgatitjet për festat e fundvitit në kryeqytet pritet të nisin brenda pak ditësh.
