
Nga shofer autobusi te pushteti absolut dhe rrëzimi i pretenduar pas goditjeve ushtarake në Karakas
Nicolas Maduro është figura që ka dominuar politikën venezueliane për më shumë se një dekadë dhe që sot ndodhet në qendër të një përshkallëzimi dramatik ndërkombëtar. Sipas deklaratës së presidentit amerikan Donald Tramp, Maduro dhe bashkëshortja e tij Cilia Flores janë kapur dhe nxjerrë nga Venezuela pas një operacioni të drejtpërdrejtë amerikan, të shoqëruar me goditje ushtarake në Karakas.
Maduro lindi më 23 nëntor 1962 në Karakas, në një familje me të ardhura modeste. Ai u përfshi herët në politikën e majtë, fillimisht si shofer autobusi dhe aktivist sindikal, duke u ngjitur gradualisht në hierarkinë politike. Bashkë me Cilia Flores, ai mbështeti Hugo Chávez pas tentativës së dështuar për grusht shteti në vitin 1992, çka i hapi rrugën karrierës së tij politike.
Pas vdekjes së Chávez në mars 2013, Maduro u emërua president i përkohshëm dhe fitoi zgjedhjet speciale për të përfunduar mandatin e tij. Më pas u rizgjodh në vitin 2018 dhe sërish në vitin 2024, zgjedhje këto të kontestuara gjerësisht nga opozita dhe komuniteti ndërkombëtar. Qeverisja e tij është lidhur ngushtë me ideologjinë chaviste dhe Partinë Socialiste të Bashkuar të Venezuelës.
Mandati i Maduro është shoqëruar nga kolaps ekonomik, inflacion ekstrem, emigrim masiv dhe akuza për shtypje politike. Shtetet e Bashkuara dhe dhjetëra vende të tjera kanë refuzuar prej vitesh ta njohin si president legjitim, duke e akuzuar për autoritarizëm, manipulim zgjedhor dhe lidhje me narkotrafikun, akuza që ai i ka mohuar vazhdimisht.
Zgjedhjet e vitit 2024 ndezën protesta masive në Karakas dhe qytete të tjera, me mijëra persona të arrestuar pas përplasjeve me forcat e sigurisë. Edhe pse një pjesë e të ndaluarve u liruan në fund të vitit 2025, tensionet mbetën të larta dhe sanksionet amerikane u ashpërsuan më tej, veçanërisht ndaj sektorit të naftës.
Goditjet amerikane të janarit 2026 shënojnë kulmin e këtij konflikti. Shpërthimet në Karakas dhe pretendimi për kapjen e Maduros sinjalizojnë një fazë të re dhe të rrezikshme në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Karakasit, duke hapur pikëpyetje të mëdha mbi të ardhmen politike të Venezuelës dhe stabilitetin e rajonit.
