

Emri i Gazmend Braçes, tashmë i dyshuar si autor në ekzekutimin e shtetasit italian Edoardo Sarchi në zonën e Salarisë, nuk është i panjohur për autoritetet. Ai lidhet me një ngjarje të bujshme të vitit 2019, që tronditi opinionin publik në Fier.
Asokohe, brenda ambienteve të Spitalit Rajonal, ndodhi një përleshje e armatosur mes familjeve Braçe dhe Zhapaj, ku pesë persona mbetën të plagosur. Ngjarja u zhvillua në mes të një institucioni shtetëror, por policia e kohës u përpoq të minimizonte pasojat e saj.
Më vonë, u përfol se pamjet e kamerave të sigurisë, si ato të spitalit, ashtu edhe të një lokali në Levan ku kishte nisur konflikti, ishin zhdukur menjëherë pas ngjarjes.
Sipas dëshmive të kohës, një efektiv policie kishte shkrepur armën i pari, duke krijuar terren që Gazmend Braçe dhe i vëllai, Danieli, të qëllonin mbi vëllezërit Zhapaj. Pas incidentit, anëtarët e fisit Braçe u liruan menjëherë, gjë që ngriti dyshime mbi trajtimin e çështjes nga autoritetet.
Kjo nuk ishte hera e vetme që Gazmend Braçe përmendej për përfshirje në episode të dhunshme. Banorë të zonës kanë denoncuar prej vitesh lidhjen e tij me veprimtari kriminale, ndërsa përflitet se ai ka gëzuar mbrojtje të posaçme për shkak të lidhjeve familjare – është djali i nipit të ish-kryetarit të Kuvendit, socialistit Gramoz Ruçi.
Ngjarja e fundit në Tepelenë, me vrasjen e Sarchit, e ka rikthyer edhe njëherë në qendër të vëmendjes figurën e Braçes dhe historinë e tij të errët me drejtësinë.