Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Elbasanit pasditen e djeshme, ku një grua u gjet e pajetë në ujërat e lumit Shkumbin. Viktima, e identifikuar si D. B., rreth 55 vjeçe, rezulton të ketë qenë prej kohësh e strehuar në strehëzën e shëndetit mendor të femrave, strukturë që varet nga Spitali Psikiatrik dhe ndodhet pranë Qendrës Sociale Balashe.
Sipas të dhënave paraprake, gruaja ishte larguar nga qendra rreth orës 15:00 të ditës së djeshme, ndërsa dy orë e gjysmë më pas, rreth orës 17:30, u gjet pa shenja jete në lumin Shkumbin, ku dyshohet se është mbytur.
Autoritetet policore bënë të ditur se viktima vuante nga probleme të shëndetit mendor, ndërsa largimi i saj nga qendra dhe rrjedha e mëvonshme e ngjarjes janë tashmë objekt i një hetimi të plotë.
Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe dinamikës së kësaj ngjarjeje tragjike, duke mbledhur prova dhe dëshmi që do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të saj.
