
Policia arreston bashkëshortët 79 dhe 73 vjeç, procedohet penalisht edhe djali i tyre për kanosje ndaj të miturit
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Sarandë, ku një fëmijë 6-vjeçar është plagosur me thikë nga një çift bashkëshortësh të moshuar.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, shtetasit L.B., 79 vjeç dhe P.B., 73 vjeçe, banues në Sarandë, dyshohen se për motive të dobëta kanë dëmtuar me mjet prerës në pjesën e dorës një të mitur. Pas ngjarjes, çifti nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për shoqërim, duke sjellë arrestimin e tyre në flagrancë.
Në kuadër të këtij rasti është proceduar penalisht edhe djali i çiftit, shtetasi E.B., 39 vjeç, pasi dyshohet se ka kanosur gjithashtu fëmijën me mjet prerës para se të ndodhte plagosja.
Policia bën me dije se i mituri ka marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve që çuan në këtë ngjarje të rëndë.
Hetimet vijojnë, ndërsa priten detaje të tjera zyrtare nga autoritetet për këtë rast që ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik.
