
Efekte anësore serioze në gjak dhe veshka, ja kur duhet kërkuar ndihmë urgjente
Shërbimi Shëndetësor Kombëtar britanik, NHS, ka publikuar një paralajmërim të rëndësishëm për mijëra pacientë me probleme kardiovaskulare që trajtohen me propranolol, një nga medikamentet më të përdorura për zemrën.
Sipas njoftimit zyrtar, personat që marrin këtë ilaç duhet të tregojnë vëmendje të shtuar ndaj disa shenjave alarmuese që lidhen me gjakun dhe funksionin e veshkave. NHS këshillon që të kërkohet menjëherë ndihmë urgjente nëse pacientët vërejnë zverdhje të lëkurës ose gjakderdhje nga hunda që zgjasin më shumë se 10 minuta.
Propranololi është një beta-bllokues që përdoret për trajtimin e tensionit të lartë, problemeve të ndryshme të zemrës, parandalimin e migrenës dhe lehtësimin e simptomave fizike të ankthit, si djersitja apo dridhjet. Ky medikament vepron duke ngadalësuar rrahjet e zemrës dhe duke e bërë më efikas qarkullimin e gjakut në trup.
Ilaçi merret zakonisht një herë në ditë dhe ekziston në formë të zakonshme ose me çlirim të ngadaltë. Ekspertët theksojnë se efektet anësore janë më të shpeshta në fillim të trajtimit, por në shumë raste ato zbuten me kalimin e kohës, pasi organizmi përshtatet me medikamentin.
NHS sqaron se, ndonëse shumica e pacientëve nuk përjetojnë probleme serioze, disa kategori duhet të jenë më të kujdesshme. Personat me histori të tensionit të ulët të gjakut, dështimit të zemrës, depresionit apo diabetit mund të kenë nevojë për dozë të ndryshme ose për një alternativë tjetër mjekësore.
Një nga paralajmërimet më të forta të mjekëve lidhet me ndërprerjen e menjëhershme të propranololit. Ndërprerja pa konsultë mjekësore mund të shkaktojë pasoja të rënda, përfshirë dhimbje gjoksi apo edhe infarkt.
Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje pacientëve që të mos neglizhojnë asnjë simptomë të pazakontë dhe të këshillohen gjithmonë me mjekun për çdo ndryshim në terapi.
