
Djali i regjisorit të njohur Rob Reiner akuzohet se ka vrarë me thikë prindërit e tij në shtëpinë familjare në Los Angeles
Nick Reiner, 32 vjeç, është vendosur nën vëzhgim të posaçëm për rrezik vetëvrasjeje në një qendër paraburgimi në Los Angeles, pasi u arrestua nën dyshimin për vrasjen e prindërve të tij, regjisorit të njohur Rob Reiner dhe bashkëshortes së tij Michele Reiner. Autoritetet amerikane konfirmojnë se ai po mbahet pa të drejtë lirimi me kusht.
Sipas burimeve pranë forcave të rendit, Nick Reiner ndodhet në ambientet e burgut Twin Towers Correctional Facility, ku po monitorohet nga ekipi i vlerësimit mendor të institucionit. Ai është sistemuar në një sektor të posaçëm për të paraburgosurit që shfaqin shenja të rrezikut për vetëlëndim.
Trupat e pajetë të çiftit Reiner u gjetën të dielën pasdite në banesën e tyre në Brentwood, Kaliforni. Hetuesit dyshojnë se vdekja ka ardhur si pasojë e plagëve të shumta me thikë, ndërsa ende nuk është përcaktuar motivi i krimit. Policia e Los Angeles po vijon mbledhjen e provave përpara se çështja t’i kalojë zyrtarisht prokurorisë.
Nick Reiner pritet të dalë para gjykatës gjatë kësaj jave për seancën e parë, ndërsa ende nuk është e qartë nëse ai ka siguruar një avokat mbrojtës apo do t’i caktohet një i tillë nga shteti.
Në të kaluarën, Nick Reiner ka folur publikisht për problemet e tij me abuzimin e substancave, periudhat e gjata në rehabilitim dhe episodet e pastrehësisë. Marrëdhënia e tij e ndërlikuar me të atin u trajtua edhe në filmin Being Charlie të vitit 2016, ku babë e bir bashkëpunuan në një projekt që pasqyronte luftën me varësinë dhe konfliktet familjare.
Familja Reiner, përmes një përfaqësuesi, ka konfirmuar ngjarjen tragjike dhe ka kërkuar privatësi në këtë moment të vështirë, ndërsa bota e kinemasë dhe publiku amerikan janë tronditur nga kjo histori e rëndë familjare.
