
Shtëpia e Bardhë përdor yllin e muzikës për të mbështetur nismën ekonomike që synon lehtësimin e kostove për familjet amerikane
Administrata e presidentit Donald Tramp ka përfshirë këngëtaren e njohur Nicki Minaj në fushatën për promovimin e Trump Accounts, një nismë e re financiare që synon të ndihmojë familjet amerikane përballë rritjes së kostove të jetesës, në prag të zgjedhjeve të mesmandatit 2026.
Gjatë një aktiviteti të organizuar nga Departamenti i Thesarit në Uashington, Minaj u shfaq për herë të parë në të njëjtën skenë me presidentin, duke shprehur mbështetjen e saj të hapur për Tramp dhe politikat e tij ekonomike. Ajo e cilësoi veten si një nga mbështetëset më të forta të presidentit dhe theksoi se kritikat dhe sulmet ndaj tij vetëm sa e motivojnë më shumë për ta mbështetur.
Këngëtarja njoftoi gjithashtu se do të kontribuojë personalisht me qindra mijëra dollarë në Trump Accounts, në dobi të ndjekësve të saj të njohur si Barbz, duke theksuar se dëshiron të ndihmojë familjet e reja dhe fëmijët e tyre për një të ardhme më të sigurt ekonomike.
Trump Accounts pritet të nisin zyrtarisht më 4 korrik, në kuadër të festimeve America 250. Sipas planit të qeverisë, shteti do të depozitojë një shumë fillestare prej 1 mijë dollarësh për çdo fëmijë të lindur nga shtetas amerikanë mes viteve 2025 dhe 2028. Prindërit, punëdhënësit apo individë të tjerë do të kenë mundësi të shtojnë fonde deri në një kufi vjetor, me synimin që këto llogari të rriten ndjeshëm deri në moshën madhore.
Administrata Tramp po kërkon gjithashtu mbështetjen e filantropëve në të gjitha shtetet amerikane, përmes një sfide kombëtare që synon të sigurojë investime fillestare për fëmijët në të 50 shtetet. Kjo nismë paraqitet si një nga shtyllat kryesore të strategjisë ekonomike të Shtëpisë së Bardhë për vitin elektoral 2026.
