
Nga komplimentet për thonjtë te turneu në Zyrën Ovale dhe një TikTok presidencial, mbrëmja mes reperes dhe presidentit u kthye në spektakël politik
Një skenë e pazakontë ka tërhequr vëmendjen e mediave amerikane, pasi reperja e famshme Nicki Minaj është shfaqur publikisht si mbështetëse e zjarrtë e presidentit amerikan Donald Tramp, duke e quajtur veten fansja e tij numër një. Takimi mes tyre ndodhi gjatë një aktiviteti zyrtar në Uashington, ku Tramp e ftoi Minaj në skenë pasi e vuri re mes të pranishmëve.
Momenti u shoqërua me batuta dhe komplimente, veçanërisht për pamjen e reperes dhe thonjtë e saj karakteristikë, të cilët presidenti i përmendi me humor përpara publikut. Minaj reagoi me entuziazëm, duke u ngjitur në skenë dhe duke e përqafuar, në një skenë që u komentua gjerësisht në rrjetet sociale.

Gjatë fjalës së saj, Nicki Minaj deklaroi se mbështetja ndaj Tramp nuk do të ndryshojë, pavarësisht kritikave që merr për shkak të origjinës së saj dhe debateve politike në SHBA. Ajo theksoi se kritikat vetëm sa e motivojnë më shumë për ta mbështetur presidentin.
Marrëdhënia miqësore vijoi edhe pas eventit, me një video në TikTok të publikuar në llogarinë zyrtare të Tramp, ku dyshja shkëmben komplimente dhe batuta, ndërsa videoja grumbulloi qindra mijëra pëlqime brenda pak orësh.
Reperja u ftua gjithashtu në Zyrën Ovale për një vizitë private, ndërsa më vonë zbuloi se kishte marrë si dhuratë një Gold Card presidenciale. Kjo kartë, sipas sistemit të ri të emigracionit, ofron lehtësi të përshpejtuara për qëndrim të ligjshëm në SHBA kundrejt një shume shumë të lartë financiare, ndonëse Minaj deklaroi se për të ishte dhënë pa pagesë.

Ngjarja ka ndezur debat të fortë në opinionin publik amerikan, duke ndarë reagimet mes atyre që e shohin si një moment spektakli politik dhe atyre që e konsiderojnë si një sinjal të fortë mbështetjeje publike ndaj Tramp nga një prej emrave më të njohur të muzikës botërore.
