

Ish-presidenti francez u shpall fajtor në procesin historik për financimin e dyshuar nga Libia të fushatës presidenciale të vitit 2007. Më 13 tetor ai do të njihet me datën e ekzekutimit të dënimit, duke u bërë ish-kreu i parë i shtetit francez që do të burgoset. Sarkozy mohoi akuzat dhe e quajti vendimin një goditje të rëndë për shtetin e së drejtës.
Ish-presidenti i Republikës Franceze, Nicolas Sarkozy, u dënua të enjten nga një gjykatë në Paris me pesë vite burgim të plotë për akuzën e asociacionit kriminal, në kuadër të hetimeve për financimin e dyshuar libian të fushatës së tij elektorale të vitit 2007. Vendimi është cilësuar historik, pasi përbën herën e parë në historinë e Republikës Franceze që një ish-kryetar shteti përfundon pas hekurave.
Sipas gjykatëses Nathalie Gavarino, gjykata vendosi të rrëzojë një pjesë të akuzave për mungesë provash, duke shpallur të pafajshëm tre nga të pandehurit. Megjithatë, për Sarkozy, gjykata argumentoi se provat për përfshirjen e tij në rrjetin e financimeve të dyshimta ishin të pamohueshme.
Sarkozy mbërriti në gjykatë i qetë, i shoqëruar nga bashkëshortja Carla Bruni dhe fëmijët e tij, duke marrë vendin pranë avokatëve mbrojtës. Në fillim të seancës, vendimet për pushimin e disa akuzave e ngjallën shpresën tek ish-presidenti. Por, ndërsa policia shoqëroi të dënuarit e parë, tensioni në sallë u rrit, dhe gjendja ndryshoi, kur gjykata shpalli dënimin me pesë vite burg për Sarkozy.
Gjykata dha gjithashtu dënime të tjera: bankieri Wahib Nacer u dënua me katër vite burg për rolin e tij në transferimin e fondeve libiane, ndërsa biznesmeni Alexandre Djouhri, mik i afërt i Sarkozy-t, u arrestua në sallë pas shpalljes së vendimit.
Duke protestuar për pafajësinë e tij, Sarkozy e cilësoi vendimin një goditje të rëndë për shtetin e së drejtës dhe paralajmëroi se do të apelonte. Avokatët e tij e quajtën procesin të motivuar politikisht dhe të ndërtuar mbi dëshmi të paqëndrueshme.
Ky vendim shënon një kthesë të madhe në politikën dhe drejtësinë franceze. Për herë të parë një ish-president, i cili ka qenë në qendër të jetës politike evropiane për më shumë se një dekadë, përballet me burgim real. Sarkozy pritet të mësojë më 13 tetor datën e ekzekutimit të dënimit dhe mund të burgoset menjëherë pas saj.
Analistët e kanë cilësuar këtë si një gjykim historik që vendos një precedent të fortë mbi llogaridhënien e figurave të larta politike në Francë.