
Ish-presidenti Nicolas Sarkozy u dorëzua në burgun e La Santé në Paris, për të vuajtur dënimin prej pesë vitesh heqje lirie për çështjen e financimeve libiane. Një ngjarje historike që ka tronditur skenën politike franceze.
Në orët e para të mëngjesit të së martës, Nicolas Sarkozy, ish-presidenti i Republikës Franceze, u largua nga banesa e tij në lagjen e 16-të të Parisit dhe u drejtua drejt burgut të La Santé, aty ku do të fillojë zyrtarisht vuajtjen e dënimit me pesë vite burg për financim të paligjshëm të fushatës së tij elektorale të vitit 2007 nga regjimi i Moamer Gadafit.
Në momentin e nisjes, Sarkozy u shoqërua nga bashkëshortja e tij Carla Bruni dhe u përshëndet nga dhjetëra mbështetës që thërrisnin “Nicolas, të duam!”. Pak më vonë, në një postim në rrjetin X, ai shkroi: “Është një i pafajshëm që po burgoset”, duke e cilësuar vendimin e drejtësisë si padrejtësi politike.

Sipas avokatit të tij Christophe Ingrain, Sarkozy mund të qëndrojë në qeli për tre javë deri në një muaj, ndërsa është paraqitur kërkesa për lirim me kusht. “Nuk ka trajtim të veçantë për të, por as ndonjë favor”, deklaroi mbrojtësi, duke shtuar se ish-presidenti do të përshkruajë përvojën e tij në një libër që pritet të shkruhet gjatë periudhës së burgimit.
Në La Santé, Sarkozy do të mbahet në një qeli të izoluar 9 m², për t’u mbrojtur nga kontaktet me të burgosurit e tjerë dhe për të shmangur publikimin e imazheve të tij brenda institucionit. Ai do të ketë të drejtën e një shëtitjeje të përditshme të vetmuar dhe do të mund të përdorë bibliotekën ose një nga sallat e vogla të palestrës.
Kjo ngjarje e pazakontë ka shkaktuar reagime të shumta në Francë. Ish-bashkëshortja e tij, Cécilia Attias, shkroi se është e tronditur dhe e revoltuar për mënyrën si po trajtohet një njeri që i ka dhënë aq shumë Francës. Nga ana tjetër, figura politike si Patrick Kanner dhe Olivier Faure kanë dënuar vizitën e paralajmëruar të ministrit të Drejtësisë Gérald Darmanin në burg, duke e cilësuar atë një rrezik për pavarësinë e gjyqësorit.
Presidenti Emmanuel Macron, i cili e priti Sarkozy në Élysée pak ditë para dënimit, deklaroi se ishte njerëzisht normale ta takonte, por theksoi se nuk ndërhyn në proceset e drejtësisë. Ndërkohë, përpara portave të La Santé, sindikatat e punonjësve të burgjeve kanë zhvilluar protestë për kushtet e rënda dhe mbipopullimin që arrin në 190%.
Nicolas Sarkozy, 70 vjeç, bëhet kështu ish-presidenti i parë i Republikës Franceze dhe një nga ish-krerët e shtetit të Bashkimit Evropian që përfundon pas hekurave. Ai vazhdon të deklarojë pafajësinë e tij dhe e konsideron procesin një goditje politike, ndërsa vendimi për lirinë e përkohshme pritet të merret nga Gjykata e Apelit e Parisit në javët e ardhshme.